Lajme
Qeveria Kurti humb betejën me gjyqtarët e prokurorët: Apeli ia rrëzon ankesën, nuk ulen pagat
Demokracia
18:43 | 26 Janar 2023

Share:

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Qeverisë së Kosovës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullim të vendimit për ulje të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.

Qeveria e Kosovës e kishte dërguar në Apel vendimin e Gjykatës së Prishtinës “për shkak të aplikimit të gabuar apo jo të drejtë të dispozitave ligjore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.”

Mirëpo, edhe Gjykata e Apelit njësoj si ajo Themelore e rrëzoi ankesën e Qeverisë së Kosovës. Në vendimin që posedon Paparaci, Apeli ka gjetur se në vendimin e Gjykatës Themelore janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë lidhur me pagat e prokurorëve.

“Kolegji i Gjykatës së Apelit, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një kolaudim të tillë të Gjykatës së Shkallës së parë nga se edhe sipas vlerësimit te Kolegjit të kësaj Gjykate në rastin konkret janë plotësuar kumulative kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të cilin e posedon Paparaci.

Tutje në arsyetim shkruhet se pretendimet e Qeverisë, në këtë rast palës së paditur se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në situatë të konfliktit të interesit janë të pabazuara në argumente.

“..ndërsa sa i përket pretendimeve ankimore të paditurës që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit, se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në situatë të konfliktit të interesit, kolegji i kësaj gjykate konsideron se ky pretendim është i pambështetur në argumente bindëse dhe si i tillë nuk qëndron:, shkruhet tutje në arsyetim.

Me 23 nëntor qeveria kishte marr vendim për zvogëlimin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

800 euro është vlera e zbritjes së pagës te shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, pasi Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish.

Me vendim të Haradinajt ishte dyfishuar paga e tij dhe ishte rritur e zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë. Vendimi automatikisht prekte pagat në drejtësi. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në departament të përgjithshëm ishte bërë 1700 euro neto nga mbi 900 sa ishte deri më 2017.

Te zyrtarët e lartë në drejtësi, ulja e pagës kap vlera edhe më të larta.

Krerët e gjykatave dhe prokurorive themelore, zyrtarët në Kryeprokurorinë e Shtetit, ata në departamente të krimeve të rënda, përjetojnë zbritje edhe më të madhe se një mijë euro.

Të ngjashme