Lajme
Qeveria Kurti fsheh shumën e parave të mbledhura në Fondin e Sigurisë për ushtrinë, klasifikohen si konfidenciale
Demokracia
15:05 | 23 Mars 2022

Share:

Qeveria e Kosovës për shkak të nevojave të FSK-së dhe situatës aktuale ndërkombëtare, më 1 mars të këtij viti e kishte themeluar Fondin e Sigurisë.

Ky vendim, siç kishte thënë kryeministri Kurti, ishte marrë në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com ka pyetur në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve sa para janë mbledhur deri më tani në Fondin e Sigurisë për FSK-në.

Por, për dallim nga kryeministri Kurti që si duket do të luajë gjatë vetëm me fjalë, duke përmendur numra 4-5 shifrorë pa treguar saktë sa janë mbledhur, institucioni përgjegjës ka thënë për Demokracia.com se informacionet rreth kësaj çështjeje janë të klasifikuara si konfidenciale.

Të dhënat dhe detajet tjera për shumën e mjeteve te grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale, bazuar në vlerësimet profesionale, për shkaqe të aspekteve të sigurisë shtetërore, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Demokracia.com.

Gjithashtu, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se vetëm të dhënat në lidhje me detajet e llogarisë së Fondit të Sigurisë janë publike.

Ju njoftojmë se të dhënat në lidhje me detajet e llogarisë së Thesarit për Fondin e Sigurisë, llogari kjo në Bankën Qendrore, janë publike dhe se të gjitha pranimet në llogari bëhen vetëm përmes transfereve bankare”, kanë bërë të ditur nga ministria për Demokracia.com.

Në fund, kjo ministri ka siguruar se mjetet e mbledhura në llogarinë e Fondit të Sigurisë, pasi që sipas saj janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes. Ato, sipas ministrisë së drejtuar nga Hekuran Murati, do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar Fondi i Sigurisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme