Lajme
Qeveria Kurti ende e pavendosur për kushtëzim të zgjedhjeve: Një përplasje në horizont mes BE-së dhe Kosovës
Demokracia
13:53 | 27 Korrik 2023

Share:

Një përplasje tjetër mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës duket në horizont. Përplasje po aq e madhe sa ajo e muajit maj ku dallimi në interpretime për atë që kishte ndodhur në takimin e 2 majit ishte tepër i madh. Tash, çështja ndryshon por dallimi vazhdon të jetë i madh.

Në një mënyrë jashtëzakonisht të çuditshme u raportua një deklaratë me implikime të forta politike nga ana e zv. kryeministrit Besnik Bislimi më 24 korrik.

REL-i thoshte që numri 2 i Ekzekutivit në një takim jopublik me gazetarë kishte thënë që “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja.” Nuk ishte citim por parafrazim dhe kjo ngriti dilema nëse ajo që thuhej se ishte thënë, ishte thënë përnjëmend.

Zv. kryeministri i Kosovës po fliste në mënyrë normative. Nuk po tregonte se çka do të ndodhte por se çka duhej të ndodhte. Pra, nuk ishte kushtëzim. Duhej ose mund të ishte kushtëzim ndaj BE-së i formës: hiqni sanksionet, i shpallim zgjedhjet e reja në veri.

E një mënyre të tillë normativiste e të çuditshme të të shprehurit i mëshoi edhe më fort kryeministri Albin Kurti dje.

Ai tha që “nuk ishte kushtëzim” formulimi i mësipërm. Ishte thjesht “e logjikshme që të ndodhë paraprakisht” heqja e sanksioneve nga BE-ja para se të shpalleshin zgjedhjet e reja.

“…për këto masa që janë marrë ndaj neve, e që janë quajtur të përkohshme dhe të kthyeshme, natyrisht që presim të hiqen sa më parë,” – vazhdoi tutje kryeministri.

Pra, njeriu që u akuzua për tensione në veri të vendit nga BE-ja, tashmë po kërkon që të ketë zgjedhje pas shtensionimit të tërësishëm të situatës.

“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme,” – tha z. Kurti.

Takimi i 27 shkurtit / Frankfurter Allgemeine Zeitung: Politikat e Kurtit në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit
Kjo nënkupton se nuk ka ende një qartësim nëse pozicioni qeveritar përcaktohet me foljen “duhet” apo me foljen “do”: Kosova nuk do të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja vs Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja. Duket se Qeveria Kurti nuk e di ende.

BE-ja në anën tjetër po kërkon që zgjedhjet e reja “do të duhej të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur” në një deklaratë për Nacionalen e pyetur për ‘kushtëzimin’ e bërë nga Besnik Bislimi e që mesa duket pasqyron edhe qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës.

Probleme tjera
Po, ka edhe probleme tjera mes BE-së dhe Kosovën.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, sipas kryeministrit Kurti, e kanë bërë të pabarabartë edhe dialogun në Bruksel. Më specifikisht, është bërë më i dobët pozicioni i Kosovës në dialog në raport me atë të Serbisë.

Ndërkohë, në një bashkëbisedim të rrëmujshëm para gazetarëve pas takimit që e kishte në Bruksel, Besnik Bislimi tregoi që emisari i BE-së nuk e kishte lënë që të takohej as për planin e sekuencimit me homologun e tij serb Petkoviq në një takim trilateral.

Ai akuzonte se plani “fillimisht është selektiv.”

“Lë anash disa provizione të rëndësishme të marrëveshjes bazike. Në mënyrë të njëanëshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë…” – ishte shprehur ai pa treguar se për çfarë provizionesh e kishte fjalën.

Bislimi vazhdonte tutje duke thënë që ka pasur edhe keqinterpretim e keqkuptim nga Brukseli edhe në lidhje me marrëveshjen për energjinë, marrëveshje kjo që ishte e para.

“Si duket… ka pasur një keqinterpretim nga ana e Brukselit për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratisllavë është eliminuar ky keqkuptim dhe mendoj që jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit…”

Kujtojmë se një përplasje e madhe mes BE-së dhe Kosovës kishte ndodhur në muajin maj pasi Qeveria e Kosovës e kishte shpërbërë Ekipin Menaxhues pas prezantimit të draftit të Asociacionit më 2 maj në Bruksel. BE-ja e kishte vlerësuar një gjë të tillë si “shkelje të shpirtit dhe germës së marrëveshjes”.

Vlen të theksohet se Qeveria Kurti vazhdimisht është shprehur se është e gatshme për zgjedhje të reja në komunat veriore./nacionale

Të ngjashme