Kosova që nga 30 gushti ka mbetur pa ambasadorë në 12 shtete, kjo pasi ata që u shkarkuan në majin e këtij viti nga presidentja, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, nuk janë zëvendësuar me diplomatë të rinj. Nga shoqëria civile thonë se çdo mision diplomatik që nuk ka udhëheqës, ndikon direkt negativisht në mbajtjen e kontakteve të ngushta mes shteteve përkatës dhe Kosovës.
Në maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, e që sipas saj do të bëhet dërgimi i diplomatëve të rinj, shkruan Demokracia.com.
Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL tha për Demokracia.com se mbetja pa ambasador e misioneve diplomatike të Kosovës është “një fatkeqësi e madhe”.
“Për vendet si Kosova (me një status ndërkombëtar të kontestuar), politika e jashtme është një nga mekanizmat me efikas për zhvillimin e brendshëm të Kosovës, përmes ndihmës në çasje në financa edhe për Kosovën, por edhe për kompanitë private. Për më shumë, çdo mision diplomatik që nuk ka udhëheqës, ndikon direkt negativisht edhe në mbajtjen e kontakteve të ngushta me organet e shtetit përkatës, që për Kosovën në ketë faze do të thotë shumë. Kjo ndikon direkt ne shkëputje te komunikimit të vazhdueshëm, si dhe ngece në implementimin e një strategjie kombëtare të politikes së jashtme”, tha Hoxha.
Ai tha po ashtu se Qeveria fillimisht do duhet të gjente zëvendësim për secilin ambasadorë, dhe më pas të bënte tërheqjen e ambasadoreve aktual.
“Në këto raste, unë besoj që Qeveria fillimisht do duhet të gjente zëvendësim për secilin mision diplomatik, dhe ta bëjë tërheqjen e ambasadoreve aktual, vetëm atëherë kur zëvendësuesit janë vendose në vendet e tyre, dhe ka një transferim të punëve të cilat paraardhësi ka qenë duke punuar. Pra nuk është thjeshte vendosja e individëve në pozitat e ambasadoreve si punë e kryer, mirëpo edhe vazhdimësia e punëve të cilat kanë qenë duke u kry nga paraardhësi”, tha Hoxha për Demokracia.com.
Për moszëvendësimin e ambasadorëve ka reaguar dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e quajtur papërgjegjshmëri të Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë. Ajo në fund të këtij muaji ka tërhequr 12 përfaqësues diplomatik pa i zëvendësuar ata. Shumë prej misioneve dhe ambasadave të Kosovës kanë mbetur me dyer të mbyllura dhe jashtë funksionit”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.
Edhe ish-konsullja e Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, ka thënë se Qeveria e la Kosovën pa përfaqësim diplomatik.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Sahatçija ka shkruar se nga 32 misione diplomatike të Kosovës vetëm 9 kanë ambasadorë, përcjell Demokracia.com.
“Qeveria praktikante e shkarkimeve la Kosovën pa përfaqësim diplomatik. Nga 32 misione diplomatike të Kosovës vetëm 9 kanë Ambasador. Misionet tjera udhëhiqen nga diplomat të rangut të ultë të cilët nuk kanë qasjen në korin diplomatik të Ambasadorëve e as në takime të rangut të lartë në institucione në shtete pritëse”, ka shkruar Sahatçija.
Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.
Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit.
Ambasadorët e shkarkuar janë Beqë Cufaj- Gjermani, Nait Hasani – Shqipëri, Arbër Vllahiu – Çeki, Lirim Grejqevci – Holandë, Shpend Kallaba – Hungari, Gezim Kasapolli – Kroaci, Avni Kastrati – Slloveni, Gjergj Dedaj – Maqedoni e Veriut, Hajdin Abazi – Australi, Ylber Hysa – Mal i Zi, Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti – Katar dhe ambasadori në Francë, Qëndrim Gashi. /Demokracia.com/