Lajme
Qeveria kundërligjshëm propozoi kryetarin e AKK-së, LVV-ja nuk arriti ta procedonte
Demokracia
18:36 | 17 Mars 2022

Share:

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 9 marsit kishte propozuar kandidatin për kryetar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) në kundërshtim më ligjin. Kësisoj, përkundër që ishte futur në rend dite me procedurë të shpejtë, pas dështimit për t’u proceduar tutje, propozimi sot është tërhequr në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke e dështuar kështu tërësisht mbledhjen e këtij komisioni.

Kusari-Lila e ka tërhequr propozimin e Qeverisë për emërimin e Hekuran Nikçit për kryetar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, pasi që i njëjti ishte propozuar në kundërshtim me ligjin dhe nuk i plotësonte kushtet për t’u proceduar më tutje në këtë proces.

Nikçi deri më 21 nëntor 2021 kishte qenë anëtar i bordit të drejtorëve të “Trepça” sh.a.

Aktualisht, ai është edhe bashkëthemelues/menaxher ekzekutiv në një kompani private, si dhe në marrëdhënie kontraktuese me KRU “Prishtina”.

Demokracia.com ka vërejtur se bazuar në Ligjin Nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 26, pika 3.1 dhe 3.2, thotë se asnjë person nuk mund të jetë anëtar i Komisionit nëse ai/ajo:

3.1. ka interesa pronësore ose marrëdhënie të punës ose kontraktuese me një ndërmarrje ose një shoqatë të ndërmarrjeve të themeluar në Kosovë;

3.2. është apo ka qenë një (1) vit më parë anëtar i një bordi menaxhues ose mbikëqyrës të një ndërmarrjeje ose shoqate të ndërmarrjeve të specifikuara në paragrafin 3. nën-paragrafin 3.1. të këtij neni e që mund të jetë konflikt interesi;

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 9 marsit i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për kryetar, zëvendëskryetar dhe tre anëtar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

1.1.         Z. Hekuran Nikçi, Kryetar;

1.2.         Znj. Kaltrina Sela, Zëvendëskryetare;

1.3.         Z. Shpend Miftari, anëtar;

1.4.         Z. Besim Stublla, anëtar;

1.5.         Znj. Nafije Osdautaj, anëtare.

Kryetari i Kuvendit me shkresën Do-699, datë 14.03.2022, kishte ngarkuar Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, që ta shqyrtojnë lëndën dhe Kuvendit t’ia paraqes raportin me rekomandime.

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, siç ka mësuar Demokracia.com, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, kishte propozuar që të plotësohet rendi i ditës me pikën: shqyrtimi i CV të kandidatëve për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

Komisioni më pas kishte konstatuar se në bazë kandidaturave të ofruara, CV-ve dhe dokumenteve përcjellëse, kandidatët nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi-deklaratë nën betim për plotësimin e kushteve nga neni 26, paragrafi 3.1 dhe 3.2, sepse nuk ka ndonjë mënyrë tjetër për të verifikuar plotësimin e këtyre dy kushteve.

Tash e disa muaj ky autoritet ka mbetur pa ‘zot shtëpie’ në kohën kur vendi po përballet me një valë të rritjeve të çmimeve në treg.

Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme