Lajme
Qeveria kritikohet për vonesë në hartimin e strategjisë kundër korrupsionit
Demokracia
20:34 | 23 Shkurt 2023

Share:

Qeveria është kritikuar për vonesë në nisjen e punës në hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit. Shoqëria civile vlerëson se ky dokument është dashur të finalizohej qysh moti. Mirëpo, organizata të shoqërisë civile janë të pakënaqura që Ekzekutivi nuk i ka përfshirje si pjesëmarrëse në strukturën e hartimit të strategjisë. Ndërsa, në anën tjetër, Qeveria thotë se ato janë të ftuara.

Qeveria e Kosovës nisi një ditë më parë punën për të hartuar strategjinë për luftën kundër korrupsionit.

Ekzekutivi në mbledhjen e 130-të themeloi strukturën e cila do të merret me draftimin e strategjisë, e cila sipas vendimit, duhet të finalizohet deri më 1 dhjetorin e sivjetmë.

Zyra e Kryeministrit ka thënë të enjten për RTV Dukagjini se strategjia do të bazohet ndër të tjera në rishikimin e kornizës ligjore, fuqizimin e integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, si dhe rritjen e nivelit të performancës mbi zbulimin e hershëm dhe dënimin adekuat për veprat penale kundër korrupsionit.

“Grupi punues do të ndahet në trajtimin e fushave specifike, duke përfshirë por duke mos u kufizuar me: prokurimin publik, shëndetësinë dhe performancën e ndërmarrjeve publike, e deri te funksionimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial, digjitalizimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Mirëpo, kritika karshi këtij procesi ka shoqëria civile. Lëvizja “FOL” e quan të vonshëm këtë veprim të Qeverisë.

“Ne si lëvizje ‘FOl’ vendimin e shohim shumë të vonshëm për shkak se Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit është miratuar në fillim të muajit korrik të vitit 2022 dhe një strategji e tillë nuk është hartuar ende pothuajse po bëhen 2 vjet nga strategjia paraprake e cila ka qenë nga viti 2018-2022, ku as ajo nuk ka mundur të gjejë zbatim për shkak të ndryshimeve që i ka bërë edhe vet ligji”, ka thënë Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen “FOL”.

Madje, kjo organizatë e vlerëson të gjatë dhe të panevojshëm afatin e caktuar për finalizimin e strategjisë,  pasi thotë se deri në fundvit bëhen më shumë se dy vjet që Kosova mbetet pa plan kokret për veprimet kundër korrupsionit.

Skepticizëm rreth kësaj strategjie ka në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Hulumtuesi Gzim Shala thotë se Kosova nuk ka vajtuar asnjëherë nga mungesa e strategjive, por nga vullneti politik për zbatimin e tyre.

“Për këtë arsye nuk mund të konsiderojmë që vet miratimi i strategjisë në vetvete paraqet një ndryshim të situatës sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, për shkak se duhet të pasohet edhe me vullnet në mënyrë që të adresohen të gjitha problemet në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Mirëpo nuk mund të themi as që është diçka negative, për shkak se të paktën e pasqyron një lloj vullneti të Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, ka thënë Shala.

Struktura për hartimin e strategjisë përbëhet nga Komisioni Ministror, Koordinatori dhe Grupi Punues.

Mirëpo, në asnjërën prej këtyre mekanizmave, vendimi i Qeverisë nuk përfshin shoqërinë civile. Kontributi i saj parashihet të kërkohet vetëm nëse grupi punues e sheh të nevojshme.

Me këtë qasje nuk pajtohet Lëvizja “FOL”.

“Në këtë vendim ne shihemi vetëm si opsion të tyre në qoftëse ata dëshirojnë të thërrasin shoqërinë civile. Andaj ne e konsiderojmë si vendim jo të duhur të Qeverisë sepse shoqëria civile është krah transparencës në hartime të rëndësishme të këtyre strategjive”, ka thënë tutje Bunjaku.

Mos përfshirjen në këtë strukturë e ka të paqartë edhe Gzim Shala nga IKD. Mirëpo, Qeveria në përgjigjen për televizionin, ka thënë se shoqëria civile është e ftuar që të marrë pjesë në çdo takim të grupit punues dhe të kontribuojë në zhvillimin e strategjisë.

Të ngjashme