Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, përmes një komunikatë për medie, ka njoftuar se i është pezulluar licenca “Klan Kosovës”. E gjitha ka nisur pas një kallëzimi penal që MINT ka bërë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës.
Por, partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ishte financuar nga Devollët. Këtë fakt as Kurti nuk e kishte mohuar, pasi ishte akuzuar nga Florin Krasniqi se i kishte marrë 20 mijë euro nga kjo kompani.
Në tetor të viti 2019, duke folur në lidhje me financimin e mundshëm të LVV-së nga Devollët, televizionit të të cilëve sot ua pezulloi licencën, Kurti nuk e kishte mohuar se kishte marrë para nga ta.
“Nuk është puna veç te Devollët, por edhe te bizneset e tjera. Unë nuk e shti dorën në zjarr”, kishte thënë Kurti me 2019.
Tutje Kurti kishte thënë se nuk i di specifikat e financimit me Devollët dhe bizneset e tjera që e kanë mbështetur Vetëvendosjen.
Ndërkohë, në njoftimin e Ministrisë, kuptohet se MINT ka ushtruar një kallëzim penal për shkak të dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.” – thuhet që në hyrje të komunikatës së Ministrisë.
Ministria është thirrur edhe në një raportim të një medie të afër me pushtetin, e cila dje raportoi në lidhje me pronësinë e televizioni Klan Kosova.
Lidhur me këtë vendim të MINT ka pasur reagime të ashpra në vend. /Demokracia.com/