Lajme
Qeveria e re ta ketë prioritet dialogun me Serbinë, kërkesat e SHBA-së nuk duhet të anashkalohen
Demokracia
18:04 | 20 Shkurt 2021

Share:

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar shumë kohëve të fundit. Kjo pasi partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk po e konsideron si prioritet këtë çështje. Demokracia.com ka biseduar me profesorin e të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti dhe Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), lidhur me këtë temë.

Gjatë javës që po lëmë pas, kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se nëse arrin të formojë Qeverinë e re, atëherë dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet i tij.

”Sipas të gjitha matjeve të opinionit dialogu me Serbinë nganjëherë janë prioriteti i gjashtë e ndonjëherë i shtati. Kurrë s’janë tri të parat. Unë duhet t’i përgjigjem qytetarëve”, tha ai.

Megjithatë, vet presidenti amerikan, Joe Biden në një letër dërguar së fundi ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit për 13-vjetorin e pavarësisë, kërkoi vazhdimin e dialogut me Serbinë, raporton Demokracia.com.

Madje, në letër theksohet se Qeveria e re duhet të angazhohet në dialogun me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, e cila synon njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit amerikan, Biden.

Përpos Biden, edhe raportuesja për Kosovën në BE, Viola Von Cramon ka bërë thirrje që të mos neglizhohet dialogu.

“Kosova dëshiron të shkojë përpara në rrugën e saj evropiane dhe ka shumë punë përpara. Brenda saj, ju duhet ta luftoni korrupsionin dhe ta ndihmoni ekonominë, por dialogu me Beogradin është diçka që nuk mund ta neglizhoni. Pa një marrëveshje me Serbinë, nuk ka perspektivë për integrimin në BE”, ka theksuar Cramon.

Lidhur me këto zhvillime, Demokracia.com ka kontaktuar profesorin e së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, i cili thekson se nëse dialogu kërkohet nga SHBA, atëherë assesi nuk duhet të anashkalohet.

‘’Dialogu është i vetmi mekanizëm i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje që shtetet kanë mes vete. Mirëpo Kosovën tashmë e pret një qeverisje e re e cila ka të drejtën e plotë të vendos për prioritete e saj e të cilat shihen të jenë në rregullimin e brendshëm si lufta kundër korrupsionit, papunësinë, zhvillimin ekonomikë etj. Edhe pse elementi gjeostrategjik i Kosovës duhet të jetë edhe dialogu i cili është i nxitur nga Amerika, sepse po të ishte një kërkesë vetëm nga evropianët mund të shihej edhe me një skepticizëm nga inferioriteti i tyre ndaj Kosovës’’, ka thënë Hoti.

Ai tutje ka folur edhe për marrëdhëniet e mira të Kosovës me SHBA-në, duke shtuar tutje se pozicioni i amerikanëve nuk duhet të merret si i mirëqenë.

‘’Pozicioni i Qeverisë Biden në SHBA ndaj Kosovës është i ditur dhe nuk duhet të merret si i mirëqenë dhe të tregohemi kryeneqë në qëndrimet e tyre sepse duhet të bashkëfrymojmë me Amerikën dhe të ecim me ta për një të ardhme më të mirë pa lënë anash vendet kyçe të BE-së’’, tha Hoti.

Violeta Haxhiu nga KDI në anën tjetër, për Demokracia.com deklaroi se dialogu duhet të jetë prioritet, pasi që politika e brendshme nuk është zëvendësim për atë të jashtme.

‘’Në listën e prioriteteve të ekzekutivit të ardhshëm duhet të jetë edhe dialogu, sepse politika e brendshme nuk është zëvendësim për politikën e jashtme dhe ekzekutivi ka mandat dhe përgjegjësi kushtetuese që të trajtojë edhe politikën e brendshme edhe atë të jashtme’’, tha ajo.

Haxholli mes tjerash e ka konsideruar dialogun si një mundësi pozitive për Kosovën që duhet ta shfrytëzojë, duke marrë parasysh presidentin e SHBA-së që e njeh  mirë kontekstin politik në Kosovë dhe Ballkan.

‘’Pozitive për Kosovën është që rrethanat janë të favorshme për vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke pasur në Shtëpinë e Bardhë presidentin Joe Biden, i cili e njeh mirë kontekstin politik në Kosovë dhe në Ballkan, për më tepër dihet kontributi i tij i çmuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës’’, tha Haxholli për Demokracia.com

Ajo në fund ka theksuar se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është interes strategjik, pasi kjo lidhet edhe me sigurimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan.

‘’Shtetet evropiane, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përsëritur disa herë që dialogu është interes i tyre strategjik, sepse kjo lidhet direkt me sigurimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkan. Pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, Kosova dhe Serbia mbeten çështja e fundit e pa mbyllur ende. Prandaj arritja e një marrëveshje përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë do të mbetet fokus i bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Haxholli.

Ndryshe, SHBA-të dhe BE-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje për dialog mes dy palëve, si mundësinë e vetme për marrëveshje mes dy vendeve.

Nga Bashkimi Evropian, së fundi kanë deklaruar se presin të vazhdojnë bisedimet, sapo të formohet Qeveria e re e Kosovës./Demokracia.com/

 

Të ngjashme