Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot që të ndajë 150 mijë euro për Deçanin, pas situatës së krijuar së fundmi atje e ku mbi 1500 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit.
Ky vendim është marrë me propozimin e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ka ndarë 150 mijë euro për mbështetje të Komunës së Deçanit për financimin e projekteve për rregullimin e sistemit të ujësjellësit.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do t’i dërgojë për analizë jashtë vendit mostrat e ujit të marra në Deçan, pas helmimit të mbi një mijë e 500 personave në këtë komunë.
Kështu ka bërë të ditur ministri Arben Vitia në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku mes tjerash tha se analizat që janë bërë deri më tani kanë dalë negative.
Kujtojmë se që nga e shtuna, mbi 1 mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e këtij qyteti si pasojë e helmimit që fillimisht u dyshua se ata ishin helmuar nga uji. Por kjo u hodh poshtë nga IKSHPK, pas publikimit të rezultateve të analizave e që thonin se uji nuk ishte i kontaminuar.
Mirëpo ende nuk dihet shkaku që shkaktoi helmimin në Deçan./Demokracia.com/