Qeveria e Kosovës thotë se i është gëzuar renditjes së Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Në një komunikatë për media, thuhet se kjo është renditja më e lartë e Kosovës ndonjëherë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Qeveria e konsideron sukses të përbashkët përparimin e lirisë së mediave në Kosovë.
“Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2022, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, e rendit Kosovën në vendin e 61-të. Kjo është renditja më e lartë e Kosovës ndonjëherë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit dhe vjen si rezultat i përmirësimit për 17 vende.
Qeveria jonë i gëzohet përparimit të lirisë së mediave dhe e konsideron sukses të përbashkët.
Do të vazhdojmë të angazhohemi me përkushtim që mediave dhe punëtorëve medialë t’ju krijojmë ambient sa më të sigurtë dhe të përshtatshëm, në mënyrë që ata të ushtrojnë të lirë dhe të papenguar profesionin e tyre.
Mediat e pavarura, të lira, objektive dhe profesionale janë aleatët tanë në përpjekjet për zhvillimin e shoqërisë së lirë e demokratike dhe ruajtjen e saj. Këtë vit, falë vullnetit të shumicës parlamentare në Kuvend, për herë të parë, punonjësit medialë janë përfshirë si kategori përfituese për ndihmë juridike falas”, thuhet në komunikatë.