Lajme
Qeveria e emëron kryeinspektorin e zgjedhur jashtëligjshëm, në bordin e Fondit për Sigurime Shëndetësore
Demokracia
16:58 | 26 Korrik 2023

Share:

Qeveria e Kosovës sot e ka zëvendësuar bordin drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Kjo është kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në mesin e personave që do të jenë pjesë e këtij bordi përveç ministrit Vitia, janë edhe Hekuran Nikçi kryeinspektor i Punës, Besnik Fetahu nga Ministria e Financave, Kastriot Meça nga Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, Ardian Shefkiu nga ShSKUK, Izet Sadiku nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Afrim Maliqi nga Shoqata e Pacientëve.

Emri i Hekuran Nikçit nuk është krejt i panjohur. Ai ishte zgjedhur Kryeinspektor i Punës në kundërshtim me ligjin. Dhe kjo përveç Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, ishte konstatuar edhe nga Gjykata, raporton Nacionale.

Pra, qeveria e ka emëruar në bordin drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore kryeinspektorin e punës që ishte zgjedhur jashtëligjshëm.

Si u zgjodh Nikçi dhe si u rrëzuan ankesat e qeverisë në gjykatë?
Më 25 maj të vitit të kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Pas një Monitorimi të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar se emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik.

Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë kishte ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publik.

Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Pavarësisht vendimit të këshillit, Qeveria e Kosovës ka vazhduar ta mban në këtë pozitë Hekuran Nikçin.

Madje, Ministria e Financave kishte vendosur që këtë vendim ta sfidonte në gjykatë.
Fillimisht, ministria kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ta shtynte ekzekutimin e vendimit të Këshillit, por gjykata kishte refuzuar një gjë të tillë.

Më pas, ministria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por edhe kjo e fundit kishte vlerësuar se kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendit është e pabazuar.

Në këtë mënyrë, Qeveria Kurti për afro një vit po e mban kundërligjshëm Hekuran Nikçin në Pozitën e Kryeinspektorit të Punës.

Qeveria Kurti kishte marrë sërish një verdikt të gjykatës se ka shkelur ligjin. Gjykata Themelore në Prishtinë(Departamenti për Çështje Administrative) ka konfirmuar vendimin e Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) se emërimi Kryeinspektorit të Punës është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Më 27 prill, gjykata ka vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadi e Ministrisë së Financave, me të cilën është kërkuar të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, thuhet në aktgjykimin që gazeta Nacionale e ka siguruar nga burimet brenda gjykatës.

Në aktgjykimin 9 faqesh, gjykata ka arsyetuar vendimin e Këshillit se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës ka qenë e kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Gjykata ka konstatuar se në këtë proces Qeveria nuk e ka respektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili kërkon që për pozita të tilla të shpallen konkurse publike.

Sipas aktgjykimit, pretendimet e Ministrisë së Financave për të rrezuar vendimin e KPMSHCK janë të pabaza.

Të ngjashme