Intervista
“Qeveri që e ka mbytur shpresën tek qytetarët tanë”, Lutfi Haziri kritikon ashpër pushtetin
Demokracia
12:30 | 28 Gusht 2022

Share:

“Qeveri neglizhente, e vonuar, qeveri me mungesë plani dhe qeveri që e ka mbytur shpresën tek qytetarët tanë”, kështu e cilësoi pushtetin, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Opozita hodhi akuza të njëpasnjëshme ndaj Qeverisë Kurti 2. Haziri tha se kjo qeveri është vonuar në menaxhimin e duhur të krizës dhe tashmë është bërë e papërballueshme.

“Mungesa në menaxhimin e energjisë, me riparimet e domosdoshme dhe sigurimin e energjisë në tregun energjetik ndërkombëtar, Kosovën po e vendos në listën e zezë të vendeve me krizë të dyfishtë, duke u paralajmëruar kështu një krizë serioze me dëme të mëdha për ekonomitë tona familjare dhe ekonominë e Republikës në përgjithësi”, deklaroi Haziri.

Dimër i vështirë u paralajmërua edhe nga Haziri. Ai tha se 700 milionë euro janë bllokuar nga Qeveria.

“I kemi 700 milionë euro të bllokuara nga Qeveria, që kryesisht janë kontrata dhe obligime të kontraktuara, kanë bërë që të goditet ekonomia dhe sektori privat”, u shpreh ai.

Haziri tha se deklaratat e kryeministrit Kurti për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në Veri kanë shqetësuar investitorët ndërkombëtarë dhe kjo e çon Kosovën tek izolimi.

Intervista e plotë me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri:

Gazeta Insajderi: Si i vlerësoni zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë?

Lutfi Haziri: Gjendja ekonomike e Kosovës është në krizë të thellë tashmë, me një inflacion prej 19.2% sipas Bankës Botërore dhe e konfirmuar edhe nga ekspertët dhe odat ekonomike të Kosovës. Kjo krizë po vërehet thellë në kuletat e qytetarëve dhe familjeve tona, e tani është bërë e papërballueshme. Nga ana tjetër, Qeveria ka neglizhuar pranimin me kohë të kësaj krize dhe ndërmarrjen e masave për zbutjen dhe menaxhimin e krizës ekonomike. Mungesa në menaxhimin e energjisë, me riparimet e domosdoshme dhe sigurimin e energjisë në tregun energjetik ndërkombëtar, Kosovën po e vendos në listën e zezë të vendeve me krizë të dyfishtë, duke u paralajmëruar kështu një krizë serioze me dëme të mëdha për ekonomitë tona familjare dhe ekonominë e Republikës në përgjithësi. Sa i përket situatës së sigurisë, ajo lidhet ngushtë me zhvillimet në dialog. Zhvillimet lidhur me këtë temë kanë sjellë në Prishtinë dy emisarët më të rëndësishëm, z.Lajçak dhe z.Escobar, të cilët po përpiqen ta arrijnë një marrëveshje për ta evituar krizën e sigurisë në Kosovë. Këtu mungon plani i Qeverisë së Republikës për menaxhim dhe për një zgjidhje me mjete paqësore e jo me mjete të aparatit policor.

Si e vlerësoni punën e Qeverise Kurti?

Lutfi Haziri: Qeveri neglizhente, e vonuar, qeveri me mungesë plani dhe qeveri që e ka mbytur shpresën tek qytetarët tanë, duke na futur të gjithëve në një krizë të paparashikueshme ekonomike, duke e përfshirë edhe krizën energjetike edhe atë të paralajmëruar në sigurinë e vendit. Një pasiguri juridike për qytetarët dhe pasiguri totale për vendin tonë.

A mendoni se Qeveria Kurti do ta menaxhojë si duhet krizën energjetike në vend?

Lutfi Haziri: Tashmë janë vonuar në menaxhim të duhur të krizës, në riparimin e sektoreve dhe blloqeve me kohë. Mos-mbështetja me kohë e planit të LDK-së dhe propozimeve tona për energji që i kemi bërë edhe dje, tregon qartë se kjo qeveri nuk ka plan, dije e as vizion që të sigurojë energji për vendin e vet. Nuk ka as mundësi minimale që të sigurohet energji për ekonomitë familjare, e mos të flasim për ekonomitë prodhuese të cilat dëmtohen më së rëndi, sidomos në sezon. Kjo qeveri as nuk po i lejon të punojnë, duke mos u siguruar energji, e as nuk i lejon të jenë pjesë e tregut rajonal, të cilin ata e kanë të siguruar e punojnë qe sa kohë.

Kosova po ashtu është përballuar edhe me rritjen e çmimeve të produkteve bazike. Sipas jush si është menaxhuar kjo situatë nga qeveria?

Lutfi Haziri: Ne, si LDK, e kemi paralajmëruar këtë gjë kur inflacioni ka qenë 4%. Tash jemi në 19.2%. I kemi 700 milionë euro të bllokuara nga Qeveria, që kryesisht janë kontrata dhe obligime të kontraktuara, kanë bërë që të goditet ekonomia dhe sekrori privat. E kanë ndaluar oksigjenin për ekonominë vendore dhe kështu po vazhdohet thellimi i krizës dhe jo sanimi i saj, që do vërehet edhe në vjeshtën e hershme, e mos të flasim për dimrin, që po parashihet të jetë një ndër dimrat më të vështirë për Kosovën.

Si i vlerësoni deklaratat e kryeministrit Kurti për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri?

Lutfi Haziri: Retorika e tillë për luftë ka shqetësuar jo vetëm qytetarët e Republikës, por, për fat të keq, ka shqetësuar më së shumti investitorët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kur kryeministri i një shteti sovran e mban hapur retorikën e konfliktit të mundshëm apo përshkallëzimit deri në luftë, i mbështetur edhe nga presidentja e vendit, Kosovën e çon tek izolimi, që edhe ashtu deri më tani ky izolim është bërë i padurueshëm. Problemi në katër komunat veriore është fakt, është problem i natyrës së sigurisë dhe sundimit të ligjit, por kjo është pjesë e dialogut i cili po ndërmjetësohet nga BE dhe ShBA. Duhet t’i jepet shansi dialogut dhe zotësia e kryeministrit tregohet në gjetjen e modaliteteve, duke mos e prekur Kushtetutën e Republikës, por duke gjetur zgjidhje për vendosjen e sundimit të ligjit në këtë pjesë, e jo të vazhdohet me retorikë të luftës.

Të ngjashme