Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina ka ardhur së fundmi me një paralajmërim për kundërshtarët e skuadrës së tij të cilët ia kanë mësyer trofeve këtë edicion.
Llapi, skuadra që drejtohet tash e sa kohë nga Batatina ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe ka dy pengesa në rrugëtimin për ta mbrojtur trofeun, shkruan Demokracia.com.
Ndonëse kanë mbetur 10 pikë prapa liderit Ballkanit në kampionat dhe gjasat i kanë më të vogla krahas rivalëve të tjerë për titull, Batatina ka paralajmëruar se Llapi është në garë për dy trofetë.
“Qetë, qetë, koha flet vetë” – ka shkruar Batatina në llogarinë e tij në Facebook duke shtuar edhe disa figura “emoji” me dy trofe.
“Bardhekaltrit” nga Podujeva ndodhen në pozitën e katërt tabelore me 41 pikë, dy më pak se Drita, shtatë më pak se Gjilani dhe 10 më pak se Ballkani.
Llapi në çerekfinale të Kupës së Kosovës e eliminoi Gjilanin në stadiumin “Zahir Pajaziti” me rezultat 2:0. /Demokracia.com/