Lajme
Qershor 1998, koha kur të dëbuarit e parë kosovarë shkuan në Shqipëri
Demokracia
22:32 | 08 Qershor 2022

Share:

Fundi i majit dhe fillimi i qershorit të vitit 1998 solli mijëra kosovarë të zhvendosur në veri të Shqipërisë. Qytetarë nga rajoni i Dukagjinit dhe Gjakovës ikën nga sulmet e forcave serbe dhe kërkuan shpëtim përtej kufirit.

Gazeta “Bujku” e datës 3 qershor shkruante se Deçani me rrethinë po sulmoheshin me topa e raketa. E një ditë pas, gazeta raportonte se tropojanët po i strehonin vëllezërit nga Kosova, të cilët rrëfenin për sulme barbare, vrasje, rrënime e djegie.

Edhe pse në në kushte të vështira, qytetarët e veriut të Shqipërisë kishin hapur dyert për kosovarët.

Një nga to, mësuesja Aishe Kërtoçi, kishte strehuar në shtëpinë e saj 46 persona nga Kosova.

E në spitalin e Bajram Currit gjendja paraqitej më e qetë. Brenda një jave aty ishin trajtuar rreth 650 pacientë, mes të cilëve edhe të plagosur. Ekipit të mjekëve i ishin bashkuar specializantë të mjekësisë nga Kosova, të cilët gjendeshin në Tiranë.

Në gjithë këtë situatë vështirë, raportohej edhe se në bjeshkët e Tropojës një nënë kosovare kishte lindur një fëmijë, të cilin e kishte pagëzuar Çlirim.

Të ngjashme