Xhevdet Qeriqi, Ish-luftëtar i UÇK-së dhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, tha se ka pritur vendim tjetër të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Qeriqi tha në T7 se vendimi i Speciales ishte politik, ndërsa tha se shpreson që Gjykata e Apelit ta ndryshojë atë.
“Kam pritur një vendim tjetër, lirues, për arsye se shkaktar i gjithë kësaj ngjarje ka qenë brenda Gjykatës Speciale…. Për neve është një vendim zhgënjyes. Po vërehet se është një vendim politik por po besojmë që gjykata tjetër në shkallën e dytë do të marrë vendim ndryshe dhe do t’i lirojë nga burgu”, tha ai.
Lidhur me protestat e paralajmëruara nga Faton Klinaku i OVL-UÇK-së, Qeriqi tha se për çdo gjë do të vendosin bashkë, pas takimeve të vazhdueshme që tha se i kanë.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata u shpallën të pafajshëm për veprën penale të hakmarrjes ndaj dëshmitarëve.