Lajme
Qëndrimi kundër i Hungarisë për anëtarësim të Kosovës në organet e BE-së, flasin nga presidenca suedeze
Demokracia
20:05 | 11 Janar 2023

Share:

Presidenca e Suedisë, e cila ka marrë udhëheqjen e Bashkimit Evropian për gjashtë muaj, ka thënë se edhe Hungaria do të jetë në mesin e shteteve ku pritet që ambasadori suedez në BE, Lars Danielsson, të mbajë takime konsultative për anëtarësimin e Kosovës në unionin evropian.

Kështu kanë bërë të ditur shkurtimisht për Demokracia.com nga zyra e presidencës suedeze, teksa nuk kanë pranuar të komentojnë deklaratat politike të kryediplomatit hungarez, Peter Szijarto, për mos-mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organet e BE-së.

Szijarto, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se mbështetja e Kosovës për anëtarësim në institucionet e unionit evropian do të vinte në rrezik “arritjen e një kompromisi”.

“Qëndrimi ynë është se do të vinte në rrezik arritjen e një kompromisi nëse formacione të caktuara evropiane do ta pranonin Kosovën përpara se të arrinin një marrëveshje. Dhe për këtë arsye Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane”, deklaroi të martën kryediplomati hungarez.

Në anën tjetër, ambasadori Danielsson ka bërë të ditur të hënën në një takim me gazetarët në Bruksel se do të konsultohet me pesë shtetet mos-njohëse të Kosovës.

“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet”, ka deklaruar ai.

“Është një vendim procedural por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje”, vijon deklarimi i tij.

Pas përfundimit të mandatit gjashtë-mujor të Suedisë si kryesuese e BE-së, radhën e ka Spanja e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme