Lajme
Qëndrimet e vazhdueshme palestineze kundër Pavarësisë së Kosovës
Demokracia
22:12 | 12 Nëntor 2023

Share:

Autoritetet palestineze kanë mbajtur vazhdimisht të njëjtin qëndrim mbështetës për Serbinë dhe kundër Pavarësisë së Kosovës. Këtë qëndrim, drejtues e përfaqësues të lartë palestinezë e kanë shprehur kurdo që janë pyetur nëse Palestina do ta njohë Republikën e Kosovës.

Çdoherë, zyrtarët e shtetit të Serbisë janë pritur me ceremoni të veçanta e nderime të larta shtetërore sa herë që e kanë vizituar Palestinën, shkruan Demokracia.com.

Kështu ishte edhe kur Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, kishte shkuar për vizitë shtetërore në Ramallah, në maj të vitit 2013. Në këtë takim, nga presidenti Mahmoud Abass, kishte marrë mbështetje dhe rikonfirmim të pozicionit të Palestinës për Pavarësinë e Kosovës: “Ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën”.

T

Të njëjtin qëndrim, se Palestina nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, Abass e kishte përsëritur edhe më 2015, me tone më të buta, në një intervistë televizive.

“Ne kemi marrëdhënie të mira [me Kosovën], por ne nuk do të ndërhyjmë në konfliktet midis vendeve. Ne distancojmë veten dhe qëndrojnë larg nga të gjitha konfliktet, sepse ne nuk duam që të jemi këtu apo atje,” kishte thënë Abass në shkurtin e vitit 2015.

I ashpër në deklaratat e tij është treguar edhe ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan.

Gjatë vitit 2021, ai kishte kundërshtuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

“Kosova, e cila ende nuk është shtet, ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve tanë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, kishte kërcënuar ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan.

Pas fillimit zyrtar të punës së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ambasadori Nabhan kishte kopjuar diskursin e politikës serbe në deklarimet e tij, duke iu referuar Kosovës e “ashtuquajtur…” dhe paralajmëronte masa të ashpra kundër Kosovës.

“Sigurisht që jam në konsultim me MJ të Palestinës, dhe duke filluar nga sot, ne do të ndërmarrim hapa që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës, në nivelin e Lidhjes Arabe dhe Bashkëpunimit Islamik”, paralajmëronte Nabhan. Edhe pse Kosova nuk ishte anëtare e këtyre dy organizatave, shumë shtete anëtare të tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe qëllimi i shprehur nga Nabhan kishte të bënte me rishikimin e njohjes për Kosovën.

Por, kaq i ashpër ambasadori palestinez në Beograd nuk ishte treguar me Serbinë, e cila poashtu ishte marrë vendim që ambasadën e saj në Izrael ta zhvendoste nga Te-Avivi në Jersualem.

Kishte mjaftuar vetëm një takim i Mohamed Nabhan me presidentin serb, Vuçiq, që ambasadori palestinez të deklaronte se miqësia e fortë ndërmjet Serbisë dhe Palestinës nuk mund të luhahet dhe se mosmarrëveshjet që janë shfaqur për shkak të ujdisë në Shtëpinë e Bardhë janë tejkaluar.

Raportet mes Vuçiq dhe Nabhan janë të veçanta. Në disa raste ambasadori palestinez ka pranuar falënderimet e presidentit serb për qëndrimin e Palestinës kundër pavarësisë së Kosovës.

Kështu kishte bërë edhe më 31 korrik 2020, kur Vuçiq e kishte pritur në takim ambasadorin palestinez, në të cilin ai e kishte falënderuar Palestinën për siç thoshte “për përkhrajen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Serbisë dhe pozicionin parimor për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur njëanshëm nga Kosova”. /Demokracia.com/

Të ngjashme