Lajme
Qëndrime diametralisht të kundërta – BE-ja thotë që Kosova bëri shkelje kur shkarkoi Ekipin Menaxhues, Konjufca thotë mirë që u shkarkua
Demokracia
13:31 | 06 Maj 2023

Share:

Ani pse Bashkimi Evropian si ndërmjetësuesi i procesit të dialogut ka deklaruar se Kosova ka bërë shkelje kur ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca shkarkimi i këtij ekipi ka qenë hap i duhur.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media të enjten deklaroi se Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës mund të shpërbëhet vetëm pasi të aprovohet drafti-final për Asociacionin, gjë që nuk ka ndodhur ende, pasi të martën e 2 majit ekipi në fjalë në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka prezantuar vetëm draft-statutin e parë të këtij mekanizmi mbi të cilin palët do të negociojnë në javë/muajt në vijim.

Megjithatë për kryekuvendarin shkarkimi i këtij trupi mirë që ndodhi, pasi të njëjtin prezantuan një Asociacion i cili gjason Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

“Ajo ka qenë edhe thirrja ime e mëhershme që të shkarkohet ekipi i menaxhimit, pasi nuk përfaqëson fare Kosovën. Ne jemi shtet, do të qëndrojmë shtet, jemi të sigurt në rrugën tonë dhe institucionet e Kosovës nuk mund t’i prezantojnë interesat e institucioneve të Serbisë”, ka pohuar Konjufca në një intervistë për Kosova Press.

Se BE-ja e ka gabim kur thotë se Kosova ka bërë shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013/2015, e thotë edhe këshilltari i Besnik Bislimit, Klisman Kadiu.

Ai madje përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook kishte deklaruar se zëri zyrtar i BE-së, Peter Stano, ka pak njohur për dialogun në Bruksel.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen”, shkroi Kadiu në Facebook, derisa shtoi se “nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”.

Kadriu pati edhe një sugjerim për Stanon duke i thënë se ai “gatishmërinë e njëjtë (maksimale), duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si përshëmbull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet”.

“Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, pohoi Kadiu.

“Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, kishte përfunduar statusin këshilltari i Bislimit.

Se kush në të vërtet e ka gabim, gjithë në këtë mes, mund të konfirmohet me një lexim të thjeshtë të Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013.

Sipas këtij plani, i vulosur dhe i protokolluar me 23 prill të po atij viti, në pikën 2 të quajtur “Asociacioni/Bashkësia” – ku shpjegohet funksioni i Grupit Menaxhues dhe kohëzgjatja e mandatit të tij – thuhet se mandati nuk përfundon as pas formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Grupi do të ketë për detyrë të merret me të gjitha çështjet relevante për themelimin e këtij Asociacioni/Bashkësie dhe për një periudhë të përkohshme do të ushtrojë kompetencat e parapara me nenin 4 dhe 6 të Marrëveshjes së Parë”, thuhet në Planin e Zbatimit.

Pra, sipas këtij Plani të Zbatimit, Ekipi Menaxhues nuk do të shpërbëhej as pas themelimit formal të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por do të merrte kompetenca që i ofrojnë nenet 4 dhe 6, deri në konsolidimin e mekanizimit.

Po ashtu, sipas Planit të Zbatimit, ekipi punues do të shpërbëhej vetëm pasi Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ta miratonte statutin e vet nga organet e veta në përputhje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjet e Kosovës.

Çfarë thuhet në nenin 4 dhe 6 të Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve?

Dy nenet (4 dhe 6), siç e përcakton Plani i Zbatimit, që flasin për kompetenca të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për një kohë do t’i barteshin Ekipit Menaxhues. Këto dy nene, përbëjnë edhe nenet kryesore të vetë parimeve për këtë mekanizëm.

“Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit. Asociacioni/Bashkësia do të ketë vështrim të plotë mbi fushat si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe rural”, thuhet në nenin 4.

Të gjitha këto “kompetenca kolektive” dhe “ushtrimin e tyre” për një kohë do ta bënte Ekipi Menaxhues dhe gjithashtu do të kishte “vështrim të plotë” mbi sektorë si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, e të tjera.

“Bashkësia/Asociacioni do të ketë rol përfaqësues te autoritetet qendror dhe për këtë qëllim do të ketë një përfaqësues në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Në përmbushje të këtij rol parashihet funksioni monitorus”, thuhet në nenin 6.

Por, prapë, për një kohë rolin e zyrtarëve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do ta mbushte Ekipi Menaxhues, i përbërë aktualisht nga Danijela Vujiçiç [deputete e Kuvendit të Serbisë nga Partia Progresiste Serbe], Jelena Boloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç.

Çfarë ndodhi?

Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë ka thënë se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë sipas Stanos, ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës mund të shpërbëhet vetëm pasi të aprovohet drafti final për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prandaj vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i liruar katër anëtarët nga detyra, përbën shkelje.

“Ekipi menaxhues duhet të qëndrojë derisa statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të adaptohet/aprovohet”, , deklaroi Stano./Albania Post

Të ngjashme