Lajme
Qendra e Studentëve ndryshon rregullat për Muajin e Ramazanit
Demokracia
17:10 | 04 Prill 2022

Share:

Studentët që e agjërojnë dhe ushqehen në mensën e Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë muajit të Ramazanit, në kohën e Iftarit, do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje për të ngrënë.

Kështu ka thënë drejtori i kësaj qendre, Fatmir Sfishta.

Ai në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se prej sot kjo qendër ka marrë vendim që studentëve t’u lejohet që gjatë kohës së syfyrit të dalin, ndonëse hyrje-daljet aty lejohen vetëm deri në mesnatë.

“Orari i servimit të ushqimit do të jetë i njëjtë, pra dreka fillon nga ora 10:00 deri në 14:00, kurse darka nga ora 17:00 deri në ora 21:00. Dallimi i vetëm është se për kohën e Iftarit do të shtohet asortimenti i ushqimit dhe llojllojshmëria e gjellëve do të jetë më e madhe në kohën kur është edhe iftari. Sa i përket kohës së syfyrit, studentët duhet të planifikojnë vetë sesi do të ushqehen”, tha Sfishta për Demokracia.com.

Ai tutje ka treguar se studentët nëse duan mund ta marrin ushqimin me vete edhe për syfyr.

“Nëse ata e shprehin atë gatishmëri, sigurisht që do të ju plotësohet, do ta marrin ushqimin me vete. Deri më tani nuk kam të raportuar që ka pasur kërkesa të tilla, por sa i përket numrit ende nuk e kemi një matje se ka pasur kërkesa të tilla. Shihet se ka rënë numri i studentëve që hanë gjatë kohës së drekës dhe rrjedhimisht tregon se një numër i studentëve edhe agjërojnë. Hyrje-daljet lejohen deri në ora 12 pas mesnate, kurse gjatë kohës se Ramazanit, studentët kanë të drejtë të dalin dhe të blejnë gjërat që iu nevojiten gjatë kohës së syfyrit”, tha Sfishta. /Demokracia.com./

Të ngjashme