Lajme
“Qen, çetnik, xhenaze, njeri i Serbisë”: A qëndron LVV prapa linçimeve me profile të rreme ndaj Rrahman Jasharajt?
Demokracia
19:05 | 02 Tetor 2022

Share:

Greva në sektorin publik solli shumë përplasje mes sindikalistëve dhe pushtetit aktual. Shumë herë debati publik u karakterizua nga gjuha e ashpër e etiketime të papranueshme. Gazeta Nacionale ditëve të fundit ka përcjellë debatin në rrjetin social Facebook, duke analizuar komentet negative me profile të rreme në lidhje me grevën, SBAShK-un dhe mësimdhënësit.

Krahas gjuhës skandaloze, qindra profile të rrejshme u bënë pjesë e debatit për grevën, e ku në qendër të sulmeve ishte figura e Rrahman Jasharajt, kryetar i SBAShK-ut.

Fyerjet e përdorura i ngjajnë argumenteve të pushtetit, duke i quajtur mësimdhënësit “prodhues analfabetësh”, njerëz që mendojnë vetëm për para, shkatërrues të arsimit e të ngjashme.

Madje, disa prej tyre shfrytëzuan edhe argumentet e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, i cili e quajti SBAShK-un si sindikatë e PAN-it (PDK, AAK, NISMA).

E gjithë kjo ndërmarrje duket të jetë e orkestruar.

Linçimi i të rrejshmëve

Qindra profile, me një sentiment radikal anti-SBAShK, që disa kohë kanë kontaminuar debatin edhe ashtu aspak të mirë në rrejtin social Facebook.

Werner Ommert, Kamder Osdautaj, Zana Zana, Iljmi KD, Bera Hsjke, Tali Sokoli, Demiri Demir, Kol Nokaj, Shqiprim Broja, Filan Fisteku, Malush Hoti, Aferdita Krasniqi, Bessnik Hoxhaa, Bektesh Bekteshi, Kosov Kosov, Asllan Gashi, Baba Madh, Mango Mango Mango, Austria Austria, Gjelal Fetahu, Arbenita Hysenaj, Rrahman Rrahmani, Dardania e Vjeter, TL Zabergja Gashi Klg, Ryvejda Ryvejda, Mall prej Austrie, Rama Rama, Lulishtja Lulishtja, Arbenita Hysenaj, Nevzat Gashi, Avdullah Shabanaj, Genti Skeraj, Ramboo Ramboo, janë vetëm disa nga profilet e rrejshme që Nacionale ka arritur t’i identifikojë ditëve të fundit.

Të gjithë të lartëpërmendurit kanë pothuajse të njëjtat karakteristika, të tilla si profile pa fotografi personale, pa ndonjë aktivitet në profil, pa të dhëna të shumta, dhe mbi të gjitha gjuhën aspak të pranueshme karshi grevës së SBAShK-ut e Rrahman Jasharajt. Shumë nga ta mbanin emra e mbiemra të ngjashëm si Rama Rama, Zana Zana, Rrahman Rrahman etj.

Shumica e shkrimeve çalonin në aspektin e drejtshkrimit, ndonëse flisnin për mësimdhënien, dijen, e cilësinë në arsim.

Në shumicën e komenteve, natyrisht ato që Nacionale i identifikoi, Jasharaj quhet me terme pezhorative si “qen, matuf, tradhtar, bir kurve, çetnik, xhenaze” e të ngjashme. Madje kishte edhe kërcënime direkte ndaj z.Jasharajt, që u bë figurë e rëndësishme e grevës që filloi më 25 gusht e vazhdoi deri më 1 tetor.

“Ty dhamt kameti nxerr”, ishte njëri nga komente tqë e bëri profili i rrejshëm me emrin e çuditshëm Mall Prej Austrie.

Një tjetër profil i rrejshëm, Rama Rama madje shkoi aq larg sa shkroi se vetëm serbi do ju vinte hakesh Jasharajt me shokë.

Një tjetër, që mbante emër ekzotik si Lulishtja Lulishtja, në mënyrë dehumanizuese e cilësoi z.Jasharajn xhenaze, pra trup i vdekur.

Ndërsa Avdullah Shabanaj, po ashtu profil i rrejshëm, shkruante pothuajse sikurse të ishte z.Elvis Hoxha, Sadri Ramabaj, ose Hysamedin Feraj, duke përdorur argumentin se SBAShK-u po bashkëpunonte me listën serbe.

Një tjetër profil i rrejshëm (Kol Nokaj) shkoi aq larg, sa e ofendoi keq z.Jasharajn.

E Filan Fisteku, fake profil, përdori argumentin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të filozofit të VV-së, Elvis Hoxha, duke thënë se SBAShK-u është dorë e zgjatur e opozitës e Serbisë.

Edhe z.Demiri Demir, ose kushdo që është prapa tij, shfrytëzoi termin e kryeministrit Kurti, duke e quajtur z.Jasharajn si “bir kurve” që është pjesë e ndërmarrje kriminale të PAN-it, një term i përdorur nga vetë Kurti javën e kaluar.

Heshtja e VV-së

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për të marrë një qëndrim për këtë ndërmarrjeje që në mënyrë toksike ka ndotur debatin në Facebook.

Për më shumë, Nacionale ka pyetur zëdhënsin e LVV-së, nëse si partia më e madhe në Kosovë e dënon një formë të tillë dehumanizuese karshi Jasharajt, SBAShK-ut e mësimdhënësve.

Deri në momentin e botimit të këtij artikulli, Manxhuka, që nuk përton të shkruaj e flasë për gjithçka, ka qenë i heshtur totalisht.

Por, analistja Zana Avdiu, në një përgjigje për Nacionalen, theksoi se partitë duhet të distancohen ka këto sulme të orkestruara, duke thënë se komentuesit pa frikë sulmojnë e linçojnë në Kosovë.

“Sulmet me profile fake nuk ka as kur bëhet fjalë për çështjet sociale. E hiç se hiç kur bëhet fjalë për tema politike apo parti te caktuara, ku komentuesit kosovar gjithmonë shprehen lirshem më profile të vërteta. Nuk ia kane friken askujt. Lirshëm sulmojnë, i shprehin bindjet e tyre politike, madje edhe në rastet kur ofendojnë rënde një politikan, opinionist apo gazetar. Dhe, duke qenë kështu kur ka sulme me një numer të madh për çështje që e prekin politikën dhe partitë, e që ato profile janë fake, tregon qartë për orkestrim nga partia të cilës i hynë në punë këto sulme. Partitë jo që duhet të distancohen, por duhet t’i ndërpresin këto sulme të orkestruara.”, tha ajo.

Për çështjen e linçimeve kohë më parë është deklaruar edhe ish-deputeti i VV-së, Florin Krasniqi, i cili theksoi se në ish-partinë e tij ka një dhomë nga ku orkestrohen sulmet e organizuara.

“E kanë sistemin. Kur jam kanë unë aty i kanë pasë nja 20 kompjutera të vjetër. Edhe i thosha çka janë këta? Tha këta janë për media. E veta njanin aty që e kam pasë më shok, tha jo more këta shajnë gjindë, bajnë postime. A din, e kanë pasë renin, dy rena, ni sobë t’gatë e kanë pasë për media, a din? Tash i kanë bo tri (soba), e kanë bo sallën e madhe, e kanë sistemin, e kam pa me sytë e mi.”, deklaroi ai në Dukagjin javë më parë.

Nuk dihet nëse këto sulme janë të orkestruara nga “soba” e VV-së, megjithatë ato kanë goditur rëndë debatin publik, duke shtuar edhe më shumë elemente toksike në diskutimet e kosovarëve.

Megjithatë, kujtojmë që eksponentë të ndryshëm të VV-së, si Elvis Hoxha e Sadri Ramabaja, e kanë goditur vazhdimisht Jasharajn, duke e cilësuar si marionetë të “ish-regjimit” e ish-anëtar i partive serbe gjatë viteve 90-ta.

Së fundmi, Dimal Basha, deputeti i 1-shave, e kishte ndjekur pasë z.Jasharajn, për t’u përplasur verbalisht me të në holl të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, nesër do të fillojë mësimi, pasi SBAShK-ut ka vendosur të ndalojë grevën me kërkesën e anëtarësisë së saj.

Të ngjashme