Lajme
Qemajl Mustafa dhe të tjerët lirohen nga akuzat për korrupsion dhe manipulime me tenderë
Demokracia
13:17 | 13 Prill 2022

Share:

Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar aktgjykim lirues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, dhe 35 të pandehurve tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion me tendera në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim me operatorët ekonomikë.

Të njëjtit, dyshoheshin për kurdisje të tenderëve me qëllim që të përfitojnë disa biznese të caktuara, në kohën kur Mustafa ishte kryetar i komunës së Gjilanit, raporton Gazeta Nacionale.

Seanca është zhvilluar në Sallën e Kuvendeve Komunale të Pejës, për shkak të numrit të madh të personave të akuzuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazmi Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish-kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneseve) të cekur në aktakuzë.

Të ngjashme