Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për takimin që ka pasur dje me kryetaren e Speciales, Ekaterina Tredanfilova.
Qelaj tha se takimi ka qenë i paralajmëruar, ditë më parë kam pranuar një ftesë zyrtare nga Trendafilova ku ka takuar të realizojë këtë vizitë.
Ai deklaroi se Trendafilova nuk i ka dhënë arsyet dhe temat për diskutim dhe për të ka qenë e pranueshme.
“Siç edhe jeni të informuar dje është mbajtur takimi ku kemi diskutuar për shumë aspekte që lidhen me të drejtat që kanë të akuzuarit në procedurë dhe palët e tjera, po edhe palët e dëmtuara dhe dëshmitarët e mbrojtur që lidhen me garancinë për një proces të drejtë.Në takim natyrisht kam shprehur shqetësimet që unë kam pranuar nga opinioni publik nga takimet që kam pasur me zyrtarë e përfaqësues të familjarëve e të tjerë që kanë interes në lidhje me këtë proces dhe kam ngritur disa shqetësime e duke kërkuar përgjigje nga Trendafilova.E para që kam përmendur janë shqetësimet që qytetarët kanë se kjo Gjykatë a po respekton parimin e një gjykimi të drejtë, e ku kam cekur disa aspekte. Që lidhen me qasjen në mbrojtje të akuzuarve dhe mundësinë e mbrojtjes t’i kundërshtojë provat. Pastaj standardet e dyfishta në lidhje me procedurat e kompensimit të viktimave, që lën në diskriminim qytetarët që gjykohen apo janë pjesë e proceseve gjyqësore. Pasiguria e provave, sidomos nga ato të Serbisë. Ka një numër të madh të provave që janë vështirë të kontestueshme, e të verifikohen e demantohen duke e ditur qëndrimin e Serbisë armiqësorë ndaj ish-pjesëtarëve të UCK-së dhe në raport me shtetin e Kosovës”, deklaroi ai, shkruan lajmi.net.
Qelaj gjithashtu tha se u diskutua edhe për mënyrën e funksionimit të gjykatës dhe strukturën e saj.
“Për mua ka qenë shqetësuese edhe fakti i informatave që kam pranuar për përgjimet e bisedave të të akuzuarve kur ata vizitohen nga familjarët dhe personat e tjerë pasi përgjimi lejohet vetëm kur sigurohet interesi publik dhe siguria publike dhe në çdo rast tjetër mund të cenojë sigurinë juridike dhe jetën private të të akuzuarve. Përgjigjet që ka dhënë ajo ka qenë se i mirëpresin këto shqetësime dhe kujdesen që të gjitha këto të mos ndodhin. Pra ka deklaruar se respektohet parimi i gjykimit të drejtë dhe garantohen të drejtat në bazë të të drejtave të njeriut, pro në shumë çështje konsideroj se është e nevojshme të ketë sqarim dhe diskutim më të gjerë në raport me qytetarët. Kohëzgjatja paraburgimit po ashtu ka qenë ajo çfarë kam ngritur si shqetësim”./Lajmi.net/