Lajme
Qelaj për grevën: Situata është alarmante
Demokracia
16:02 | 19 Shtator 2022

Share:

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka deklaruar se ditëve të fundit ka diskutuar me qeverinë e sindikatat për gjetjen e një zgjidhje dhe fillimin e procesit mësimor.

Ai ka kërkuar që diskutimi për mbështetje financiare të zhvendoset në fund të vitit, ku ka njoftuar se palët sërish nuk janë pajtuar, dhe kjo është komunikuar nga sindikatat pa u informuar ai.

Qelaj konsideron se është shkelje e të drejtave të fëmijëve për edukim dhe arsim. Madje, Avokati i Popullit thotë se konsideron se kjo situatë është alarmante dhe e jashtëzakonshme.

Ai bëri të ditur se kanë dërguar komentet me pakënaqësi për Ligjin e Pagave.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaron se është mirëpritur përfshirja e tij në këtë proces, për çka ka shpresuar që do të ketë zgjidhje.

Në takimet që ka pasur me dy palët, ai tregon se qeveria dhe sindikatat janë pajtuar që po shkaktohet dëm me mos mbajtjen e procesit mësimor.

“Duke parë që nuk ka lëvizje pozitive në drejtim të zgjidhjes së kësaj situate dhe duke marrë parasysh rolin dhe mandatin që kemi me kushtetutë dhe ligj, unë kam marrë një iniciativë me i taku të dy palët dhe të diskutojmë. Ditëve të fundit në mënyrë intensive kam komunikuar me palët, edhe me sindikatën edhe me qeverinë. Duke marrë edhe rolin e ndërmjetësit, pa dyshim duke marrë në këtë rast edhe një lloj koordinimi me Zyrën e Presidentes, e cila ditë më parë veç kishte filluar një proces të ngjashëm”, deklaroi Qelaj./KP

Të ngjashme