Në kohën kur po flitet për pranim dhe zbatim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri Albin Kurti po e kritikon ashpër idenë e shkëmbimit të territoreve, e cila ishte përmendur në vitin 2018.
Ndonëse tani nuk është temë, brenda pak ditëve, Kurti ka folur dy herë për këtë çështje.
Në paraqitjet e tij mediale, ai po e demonizon këtë ide, duke thënë se ajo ishte shumë e rrezikshme për Kosovën. Por, pse pikërisht tani Kurti po flet për këtë ide?
Oponentët politik të kryeministrit Kurti kanë thënë se ai këtë po e bën qëllimisht.
Sipas tyre, duke e kritikuar këtë ide, Kurti po mundohet të bëj që Asociacioni, të cilin e ka pranuar, të duket opsion më i mirë.
Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka treguar se kryeministri po vepron në këtë mënyrë.
Ajo ka vlerësuar se Asociacioni është më i rrezikshëm për Kosovën se shkëmbimi i territoreve, shkruan Nacionale.
“Sot përdorët ideja e ripërcaktimit negativisht, qëllimisht, për ta bërë Asociacionin të dukët opsioni që shpëtoi vendin nga ndarja. E që do të thellohen ndarjet etnike nga brenda Kosovës s’ka rëndësi, sepse këto janë të përdorshme për fjalimet e zjarrta. Qe 3 vite jemi në fushatë.Në përpjekjen e dëshpëruar për ta bërë Asociacionin të duket diçka tjetër, kryeministri shkoi aq larg sa ta përdorë projektin e ripërcaktimit si kërcënim. Sikur që përdorte në dialog qytetarët e Luginës sa herë flitej për të drejtat e serbëve në veri”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Sipas saj, Kurti i frikësohet idesë se ripercaktimit të kufijve.
“Pra jo në kuptimin e njohjes së vullnetit politik e qytetar, por si kundërbalancim. Sa e padrejtë është kjo për Luginën dhe si qasje në përgjithësi. Ripërcaktimi i kufirit është zgjidhje, prandaj ia ka frikën kryeministri. Se mos po ngelet i vetëm me punët e shtëpisë”, ka shkruar ai.
Kritikat e Kurtit ndaj kësaj ide nuk i kanë pëlqyer as kryetari të Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
“Trajtimi i ripërcaktimit të kufijve nga ana e kryeministrit si një ide me ngjyrime feudale nënkupton se kryeministri vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës Lindore për bashkim me Kosovën dhe të drejtën e tyre të vetëvendosjes i paska konsideruar se kanë “ngjyra feudale”. E paska reduktuar dhe barazuar kryeministri konceptin e lirisë me atë të feudalizmit dhe monarkisë! Bravo i qoftë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Çka po thotë Kurti për këtë ide?
Kryeministri Albin Kurti se fundi e ka shpeshtuar përmendjen e idesë se shkëmbimit të territoreve. Nga e shtuna e kaluar deri me tani, këtë çështje ai e ka kritikuar dy herë.
Për këtë temë, ai nuk ka hezituar të flasë as sot në një intervistë për gazetën austriake “ZIB 2”.
Gjatë kësaj interviste, Kurti ka thënë shkëmbimi i territoreve është “një recetë për luftë e gjakderdhje”:
“Çfarë do të mund të ndihmonte në rajon për siguri dhe pajtim, është një balancë apo simetri në të drejtat e minoriteteve, ndërsa shkëmbimi i territoreve është një recetë për luftë dhe gjakderdhje”, ka thënë ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se kjo ide është ende gjallë.
“Është e vërtetë që në të kaluarën, sidomos gjatë administratës së kaluar amerikane, edhe Beogradi dhe disa politikanë në Prishtinë e në BE kanë përmendur idenë për shkëmbimin e territoreve. Ky projekt ka dështuar, e di që ideja është ende gjallë në Beograd duke shkaktuar disa fantazi në disa struktura në veri të Kosovës, por nuk do të bëhet kurrë realitet”, është shprehur Kurti.
Kritika ndaj kësaj ide, i pari i Qeverisë kishte shprehur edhe të shtunën e kaluar.
Në adresimin e tij gjatë Forumit të Paqes në Paris, kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, Kurti ishte pyetur edhe për korrigjimin e kufijve.
Në përgjigjen e tij, Kurti kishte thënë se kjo ide ende nuk ka vdekur.
“Beogradi nuk ishte i lumtur me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, të cilën ata e shkaktuan. Tani ne jetojmë në kohën kur ky projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por më duhet ta them që ideja nuk ka vdekur. Dhe e shoh shpesh kur e takoj apo e dëgjoj presidentin e Serbisë duke folur publikisht apo duke u angazhuar në dialog në Bruksel, sepse fantazitë mund të mos jenë të vërteta në kuptimin e realiteteve faktike, por kushtëzon mendimin, sjelljen dhe veprimet e aktorëve”, kishte thënë Kurti.
Ndonëse nuk e përmendi me emër Hashim Thaçin, ish-president i Kosovës, Kurti vlerësoi se në Kosovë ky projekt i shkëmbimit territorial përkrahej. “Ky projekt i shkëmbimit të territoreve e kishte homologun edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, sepse në atë kohë shihej më shumë si zgjidhje e shpejtë, marrëveshje e shpejtë ndërmjet liderëve autoritarë që mund të flasin për popullin si familjet e tyre dhe që mund të flasin për territoret e shteteve si të ishin prona private”, ishte shprehur Kurti.