Lajme
Qarkorja njëkahëshe| Vazhdojnë kolonat e gjata në rrugët e Prishtinës
Demokracia
15:53 | 23 Prill 2022

Share:

Vendimi i Komunës së Prishtinës për ta shndërruar unazën qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet ka krijuar kolona të gjata të automjeteve.

Në video e Demokracia.com e bërë pak minuta më parë, shihen kolona të gjata të automjeteve edhe në lagjen Dardania.

Radhë të gjata të automjeteve shihen në rrugën në dalje të Prishtinës për të hyrë në Fushë Kosovë.

Kolona të gjata janë parë pothuajse në të gjithë qarkoren, sidomos te semaforët pranë Bankës Qendrore e te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, përcjell Demokracia.com.

Rrugët që janë kthyer njëdrejtimëshe janë rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE dhe rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri e ka thënë se organizimin një kahor të rrugëve në Prishtinë për sot dhe nesër është testim pa rezultat të qartë.

Tahiri nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që të anulojë menjëherë këtë vendim, përcjell Demokracia.com.

“Organizimi një kahor i rrugëve (unazë të brendshme) në kryeqytet, del të jetë një testim pa rezultat të qartë dhe në fakt me ndikim negativ. Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për Mobilitetin Urban. Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj. Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët.  Ky veprim, e të tilla duhet anuluar menjëherë nga Kryetari Rama, në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka shkruar Tahiri.

Gjithashtu edhe nuk e kanë pritur mirë këtë vendim. Ata nuk e shohin si zgjidhje për të lehtësuar trafikun e rënduar të kryeqytetit, duke thënë se kështu duket sikur bllokohet edhe më shumë.

Ndryshe, sot dhe nesër po testohet shndërrimi i gjithë unazës qendrore në rrugë njëkahëshe për vetura./Demokracia.com/

Të ngjashme