Intervista
Qalaj: Policia dështoi për herë të tretë në veri të vendit, po mungojnë urdhrat e duhur dhe të qartë
Demokracia
20:12 | 02 Gusht 2022

Share:

Më 31 gusht serbët e veriut të Kosovës kishin bllokuar shumë rrugë që shpien në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, e tërë kjo si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me targat ilegale dhe për letërnjoftime për çdo shtetas të Serbisë që hyn në territorin e Kosovës. Si pasojë e këtij vendimi dhe bllokimit të rrugëve, 11 qytetarë ishin lënduar nga strukturat ilegale dhe kishte pasur të shtëna edhe në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në orët e pasdites së 31 gushtit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe Njësinë Speciale ia mësynë veriut të vendit, pasi që strukturat ilegale në atë pjesë kishin bllokuar rrugët që shpien në drejtim të pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Atë ditë 11 qytetarë u lënduan e madje kishte edhe të shtëna me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e serbëve të cilët janë pjesë e strukturave ilegale.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të dërguar Policinë në veri të vendit po e cilëson si dështim të tretë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.

Qalaj në një intervistë për Demokracia.com, ka thënë se si parti e kanë përkrahur qysh në fillim vendimin e Qeverisë për reciprocitet, mirëpo siç u shpreh ai, ekzekutivi është dashur që të jetë i përgatitur për një gjë të tillë, pra të ketë një skenar se çfarë mund të ndodhë në raste të tilla.

“Po fillimisht vendimi i Qeverisë është një vendim është një vendim legjitim që buron nga kushtetuta e vendit. Do me thënë zbatimi i reciprocitetit në raport me Serbinë është një vendim sovran i Qeverisë së Kosovës dhe mendoj se ne të gjithë duhet ta përkrahim e diçka tjetër është çështja e implementimit të vendimeve të Qeverisë. Unë mendoj që fillimisht e keni pa reagimin e partive opozitare e po ashtu edhe të kryetarit Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetarit tonë, i cili vendimin e ka përkrahur mirëpo në të njëjtën kohë ka kërkuar që mos të lejohet që të pengohet liria e lëvizjes. Pra të gjitha vendimet që dalin ligjet e Kosovës dhe nga Kushtetuta e Kosovës i obligojnë edhe qytetarët e Kosovës, pavarësisht kombësisë që t’i respektojnë ato dhe nuk guxon që të lejohet që të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve në asnjë pjesë të vendit. Sa i përket angazhimit të Policisë së Kosovës, respektivisht njësive speciale të saj, realisht njësitë speciale janë mjaftë të përgatitura dhe janë shumë profesionale mirëpo ato kërkojnë që të kenë urdhra të qarta se çka dëshiron të arrihet e që këto urdhra janë duke munguar. Pra Qeveria e vendit për shkak të vendimit të saj politik ka angazhuar njësinë speciale për implementim dhe njësia speciale dërgohet dhe qëndron statike, ndërsa rrugët bllokohen, rrugët që shpien në pikën kufitare. Pastaj qytetarët shqiptarë që kanë qëlluar në atë kohë që të lëvizin nga pikat kufitare në brendësi të Kosovës të maltretohen të rrahën, të dëmtohen veturat. Pastaj kemi bllokimin e fshatrave me popullsi shqiptare, bllokimin nga individ, banda kriminale që operojnë në veri, mendoj që është e papranueshme dhe Qeveria e vendit është dashur që të dijë se çka duhet me arrit dhe çka po dëshiron të arrijë paraprakisht. Po ashtu më lejoni të them që duke e shfrytëzuar edhe përvojën nga viti i kaluar kur e kemi pasur një situatë po ashtu të njëjtë të bllokimit të rrugëve, është dashur ta dijë Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria e Përgjithshme dhe me u përgatit për një skenar të tillë dhe pastaj të merren masat paraprake që të mos lejohet bllokimi i rrugëve”, u shpreh Qalaj për Demokracia.com.

Sipas tij, ky aksion i Policisë së Kosovës në veri të vendit është dështimi i tretë dhe se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së komunikimit, por edhe si pasojë e mospërgatitjes së institucioneve të vendit për çdo skenar të mundshëm në raste dhe situata të tilla.

“Realisht së pari deklarata e kryeministrit të vendit duke u bazuar në vlerësimin e rrezikshmërisë, realisht kryeministri i vendit dhe presidentja e vendit marrin informata nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe po ashtu nga Policia e Kosovës informata inteligjente mbi gjendjen e sigurisë në çdo pjesë të Kosovës në këtë kontekst edhe në veri dhe po ashtu marrin informata edhe për skenarët e mundshëm që mund të ndodhin në pjesën veriore të vendit. Dhe institucionet e sigurisë është dashur të përgatiten me kohë për çdo skenar. Unë mendoj që Policia e Kosovës ka dështuar jo vetëm tash por edhe në dy rastet e mëhershme për shkak që mendoj se paraprakisht është dashur që t’i ketë informatat dhe paraprakisht është dashur që të marrë masa që të mos vije deri të bllokimi i rrugëve. Mirëpo siç e kam thënë edhe më herët, duke u bazuar nga përvoja e vitit të kaluar e operacionit të parë që ka qenë bllokimi i rrugëve në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe pastaj operacioni i dytë që ka ndodhur kur Policia e Kosovës ka tentuar që të implementojë urdhëresat e Gjykatës për bastisjen e disa farmacive për kontrabandë atje dhe kemi pasur shumë probleme gjuajtje me armë, plagosje të policëve nga granatat e dorës që janë hedhur në veri dhe sot e kësaj dite nuk kemi informata që a është identifikuar dikush, a është intervistuar dikush, a është arrestuar dikush dhe a është dalë para organeve të drejtësisë ndonjë person që ka qenë i kyçur direkt në sulmin dhe rrezikimin e policëve. Dhe kur tash, këto veprime mungojnë është krejt normale që huliganët serbë, bandat që operojnë atje t’i përsërisin këto veprime”, theksoi Qalaj për Demokracia.com.

I pyetur nga Demokracia.com, se a kanë qenë të rrezikuar natën e 31 gushtit pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të vendit. Qalaj ka thënë se pjesëtarët e Njësisë Speciale gjithmonë janë në rrezik, por sidomos kur janë aksione në veri të vendit, rrezikshmëria është më e lartë.

Qalaj po ashtu ka thënë se pjesëtarët e Njësisë Speciale janë të zotë dhe janë të përgatitur mjaft shumë për raste dhe situata të tilla, por siç u shpreh ai për Demokracia.com, atyre u mungon urdhri dhe strategjia e qartë se çfarë duhet të bëjnë, dhe pikërisht për këtë mungesë edhe Njësia Speciale po dështon.

“Me thënë të drejtën puna e policëve të njësive speciale është gjithmonë me rrezikshmëri të mesme nga e larta ose me rrezikshmëri të lartë dhe super të lartë. Unë mendoj që çdo operacion që zhvillohet në veri ka rrezikshmëri mjaftë të madhe për operatorët e njësisë speciale. Unë e di që ata janë mjaftë të përgatitur, janë me një vullnet të madh për punë, me përkushtim për punë, mirëpo ajo çka është duke munguar është çështja e urdhrave se kush i jep urdhrat. Po mendoj nuk po kanë urdhra të qartë se si të veprojnë, nuk po kanë urdhra nga menaxhmenti nga drejtori i përgjithshëm dhe kjo është për t’u brengosur. Do me thënë njësitë speciale kanë nevojë vetëm për një gjë, për urdhra të qartë dhe për misionin dhe ata janë të gatshëm dhe kanë qenë gjithmonë të gatshëm që t’i kryejnë të gjitha detyrat. Mirëpo çka është më brengosëse është që Qeverisë së vendit i bie në mend për Policinë, për Njësinë Speciale vetëm në këso situata dhe kur krijohen situatat normale po i harron policët që kanë nevojë për përkujdesje, për paga më të mira, për sigurim shëndetësor, e për shumë e shumë gjëra tjera”, deklaroi Qalaj për Demokracia.com.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës e ka shtyrë vendimin për implementimin e reciprocitetit për targat ilegale në Kosovë deri më 1 shtator, vendim ky i cili erdhi vetëm pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ky takim u mbajt në orët e mbrëmjes dhe vendimi u bë e ditur rreth orës 23:00, pra një orë para se të hynte në fuqi vendimi i 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës. Aktualisht në të gjitha pikat kufitare është duke u zbatuar masa e reciprocitetit për letërnjoftimet për çdo shtetas të Serbisë që hyn në Kosovë. Për secilin shtetas, autoritetet kosovare, përkatësisht policia kufitare ua lëshon një vërtetim përmes së cilit u lejohet qëndrimi në Kosovë deri në 90 ditë. /Demokracia.com/

Të ngjashme