Lajme
PZAP-i sot merr vendim për nëntë apelet e partive politike
Demokracia
08:57 | 26 Janar 2021

Share:

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sot do të publikojë vendimin për nëntë apelet e gjashtë subjekteve politike.

Gjashtë parti politike që kanë dorëzuar apele në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sot do të kuptojnë se cili do të jetë vendimi i këtij institucioni të pavarur prej 10 anëtarësh.

Gjyqtarët e këtij paneli kanë vazhduar trajtimin e apeleve gjatë ditëve të kaluara dhe afati për vendim përfundon sot, shkruan Demokracia.com.

Ky proces për PZAP-në vjen pas moscertifikimit nga KQZ-ja të kandidatëve të gjashtë subjekteve politike për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Vendime nga PZAP-i po presin Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe tre subjekte të tjera që nuk iu certifikuan listat e kandidatëve të premten nga Komisioni Qendror Zgjedhor meqë kanë të përfshirë njerëz të dënuar me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit nga gjykatat.

Pas PZAP-së, derë tjetër për ankesa është Gjykata Supreme ndërkaq të gjitha këto procedura duhet të përmbyllën më së largu deri më 31 janar. /Demokracia.com/

Të ngjashme