OpEd
Pyetja e vërtetë që duhet të bëjmë për rritjen ekonomike
Demokracia
10:01 | 18 Shtator 2023

Share:

Mariana Mazzucato

Nga debatet e politikave të nivelit të lartë dhe manifestet politike deri te lajmet e përditshme, ankthi për rritjen ekonomike është kudo. Në Gjermani, buxheti i fundit i qeverisë identifikon rritjen më të fortë si një prioritet kryesor. Në Indi, udhëheqësit janë të etur për të rimarrë vendin si ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë. Në Kinë, ku prespektiva e deflacionit është shfaqur në horizont, qeveria është e shqetësuar për arritjen e objektivit të saj, për një rritje ekonomike prej 5% për këtë vit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Keir Starmer, kreu i Partisë Laburiste në opozitë, është zotuar të sigurojë rritjen më të lartë të qëndrueshme në G7 nëse merr pushtet, dhe konservatorët në pushtet shprehin ambicie të ngjashme (kujtoni mantrën e ish-kryeministres Liz Truss: “rritje, rritje dhe rritje”).

Por vendosja e rritjes ekonomike në qendër të politikëbërjes është gabim. Edhe pse e rëndësishme, rritja në abstrakt nuk është një qëllim apo mision koherent. Përpara se të angazhohen për objektiva të veçantë (qoftë rritja e PBB-së, prodhimi i përgjithshëm e kështu me radhë), qeveritë duhet të fokusohen në drejtimin që duhet të marrë ekonomia. Në fund të fundit, çfarë dobie ka një rritje ekonomike e lartë, nëse arritja e saj kërkon kushte të këqija pune apo një industri në zgjerim të lëndëve djegëse fosile?

Për më tepër, qeveritë kanë qenë më të suksesshme në katalizimin e rritjes ekonomike, kur kanë ndjekur qëllime të tjera – duke mos e trajtuar rritjen si objektiv në vetvete. Misioni i NASA-s për të dërguar një njeri në Hënë (dhe për ta rikthyer shëndoshë e mirë) solli risi në hapësirën ajrore, materiale, në elektronikë, ushqim dhe softuerë, që më vonë do të sillnin vlerë të shtuar të konsiderueshme, ekonomike dhe tregtare. Por NASA nuk u nis për të krijuar këto teknologji, dhe për këtë arsye, ndoshta nuk do t’i kishte zhvilluar kurrë ato nëse misioni i saj do të kishte qenë thjesht për të rritur prodhimin.

Njësoj me këtë, interneti erdhi e u shfaq nga nevoja për të bërë që satelitët të komunikonin me njëri-tjetrin. Për shkak të adoptimit të gjerë të tij, PBB-ja dixhitale është rritur 2.5 herë më shpejt se PBB-ja fizike gjatë dekadës së kaluar dhe tani ekonomia dixhitale është në rrugën e duhur për të arritur vlerën e 20.8 trilion dollarëve, deri në vitin 2025. Sërish, shifra të tilla rritjeje ekonomike janë rezultat i angazhimit me mundësitë që ofron dixhitalizimi; rritja ekonomike në vetvete nuk ishte qëllimi.

Në vend që të fokusohen në përshpejtimin e rritjes së PBB-së dixhitale, qeveritë duhet të synojnë ngushtimin e hendekut dixhital dhe të sigurojnë që rritja aktuale dhe e ardhshme të mos bazohet në abuzimin e kompanive të Big Tech, me fuqinë e tregut. Duke pasur parasysh se sa shpejt po përparon inteligjenca artificiale, kemi nevojë urgjente për qeveri që mund të formësojnë revolucionin e ardhshëm teknologjik, në interes të publikut.

NXitja e rritjes ekonomike në një drejtim më gjithëpërfshirës do të thotë largim nga financimi i veprimtarisë ekonomike dhe riangazhim për investime në ekonominë reale. Siç janë gjërat, shumë kompani jo-financiare (përfshirë prodhuesit) po shpenzojnë më shumë për blerjen e aksioneve dhe pagesat e dividentëve, sesa për kapitalin njerëzor, makineritë dhe kërkimin e zhvillimin. Ndërsa aktivitete të tilla mund të rrisin çmimin e aksioneve të kompanive në afat të shkurtër, ato reduktojnë burimet e disponueshme për riinvestim te punëtorët, duke zgjeruar ndarjen midis atyre që kontrollojnë kapitalin dhe atyre që nuk e kontrollojnë.

Financializimi ka të bëjë më shpesh me nxjerrjen e vlerës dhe maksimizimin afatshkurtër të fitimit, sesa me krijimin e vlerës për hir të shoqërisë në tërësi. Për të arritur një rritje gjithëpërfshirëse, ne duhet të pranojmë se punëtorët janë krijuesit e vërtetë të vlerës dhe interesat e tyre duhet të jenë të zënë një vend parësor, në diskutimet rreth të ardhurave dhe shpërndarjes së pasurisë.

Në këtë kuptim, qëndrimi i ri i Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar për të drejtat e punëtorëve është shqetësues. Në një përpjekje për të joshur drejtuesit e korporatave dhe për t’u dalë kundër pretendimeve se janë “anti-biznes”, Laburistët e kanë zbutur angazhimin e tyre të shpallur më parë, për mbrojtje më të forta për punëtorët. Megjithatë, rritja ekonomike e udhëhequr nga investimet, dhe të drejtat e punëtorëve nuk duhet të konsiderohen si prioritete konkurruese. Ekuilibrimi i angazhimit të korporatës me një përkushtim ndaj punëtorëve nuk është vetëm thelbësor për arritjen e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse; tashmë është vërtetuar se nxit produktivitetin dhe rritjen në terma afatgjatë.

Ekonomia nuk do të rritet vetë, në një drejtim të dëshirueshëm shoqëror. Siç e theksova 10 vjet më parë, shteti ka një rol të rëndësishëm sipërmarrës për të luajtur. Pas përpjekjeve të fundit të qeverive për të ristartuar ekonomitë e tyre pas pandemisë, është e qartë se kemi ende nevojë për një mendim të ri se si të arrijmë një rritje ekonomike që nuk është vetëm “e zgjuar”, por edhe e gjelbër dhe gjithëpërfshirëse.

Qeveritë kanë nevojë për udhërrëfyes të politikave ekonomike me qëllime të qarta, bazuar në atë që ka më shumë rëndësi për njerëzit dhe planetin. Mbështetja publike për bizneset duhet të kushtëzohet me investime të reja që do të “ndërtojnë më mirë të ardhmen” drejt një ekonomie reale më të gjelbër dhe më gjithëpërfshirëse. Kini parasysh Aktin e CHIPS dhe Shkencës të Shteteve të Bashkuara, i cili synon të stimulojë industrinë vendase të gjysmëpërçuesve. Ligji ndalon përdorimin e fondeve për kthimin e aksioneve dhe mund të imagjinohen kollaj dispozita shtesë, të cilat kërkojnë që fitimet e ardhshme të riinvestohen në trajnimin e fuqisë punëtore.

Por për ta çuar rritjen ekonomike në drejtimin e duhur, qeveritë duhet të bëjnë gjithashtu investime të orientuara drejt aftësive, mjeteve dhe institucioneve të tyre. Kontraktimi i jashtëm i kapaciteteve bazë ka dëmtuar aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave në ndryshim, duke reduktuar përfundimisht potencialin e tyre për të krijuar rritje të qëllimshme dhe vlerë publike. Edhe më keq, ndërsa aftësitë dhe ekspertiza e sektorit publik janë zbrazur, ai është bërë më i ndjeshëm për t’u kapur nga interesa të fshehta.

Vetëm me kapacitetet dhe kompetencat e duhura qeveritë mund të mobilizojnë me sukses burimet dhe të koordinojnë përpjekjet me bizneset që janë të gatshme të punojnë drejt qëllimeve të përbashkëta. Një strategji industriale e orientuar nga misioni kërkon që sektori publik dhe privat të punojnë së bashku në mënyrë simbiotike. E bërë siç duhet, një qasje e tillë mund të maksimizojë përfitimet publike afatgjata dhe vlerën e palëve të interesuara: rritja e udhëhequr nga inovacioni bëhet sinonim i rritjes gjithëpërfshirëse.

Pyetja që duhet të bëjmë nuk është se sa rritje mund të arrijmë, por të çfarë lloji. Për të arritur një prodhim më të madh ekonomik që është gjithashtu gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm, qeveritë do të duhet të përqafojnë potencialin e tyre për të qenë krijues të vlerave dhe forca të fuqishme që formësojnë ekonominë. Riorientimi i institucioneve publike rreth misioneve ambicioze – në vend të obsesionit pas objektivave të ngushta të rritjes ekonomike – do të na lejojë të përballemi me sfidat e mëdha të shekullit të 21-të dhe të sigurojmë që ekonomia të rritet në drejtimin e duhur.

Mariana Mazzucato, Drejtoreshë Themeluese e Institutit UCL për Inovacionin dhe Qëllimet Publike, është Kryetare e Këshillit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Ekonominë e Shëndetit për të Gjithë.

*Publikuar fillimisht te Bota.al

Të ngjashme
OpEd • 17 Qershor 2024