Lajme
Pyetet për Gjykatën Speciale në Estoni, por Kurti përmend vetëm “kriminelë lufte” e nuk flet për punën e saj
Demokracia
12:15 | 18 Nëntor 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me kryeministren estoneze Kaja Kallas, është pyetur për Gjykatën Speciale të Kosovës dhe nëse një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe në Ukrainë për luftën e nisur nga Rusia.

Ndonëse nuk u përgjigj konkretisht për punën e Gjykatës Speciale, Kurti përmendi vetëm krimet e Serbisë në Kosovë. Ai tha se pas një agresioni duhet të ketë tribunale ndërkombëtare që të sjellin drejtësinë, e cila çon në paqe, raporton Gazeta Express.

“Në ish-Jugollsavi rreth 150 mijë joserbë janë vrarë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë dhe për fat të keq në Serbi, asnjë nuk kanë shkuar prapa grilave. Bashkësia ndërkombëtare, BE, vendet demokratike nuk mund të mbështeten në gjykatat e një vendi të vetëm. Për këtë arsye tribunalet ndërkombëtare janë të nevojshme. Ish-Jugosllavia kishte një tribunal të veçantë ndërkombëtar në Hagë, i cili ka sjellë disa rezultate, por ende shumë punë mbetet për t’u bërë”.

“Vetëm në vendin tim në Kosovë, 10 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, 10 për qind prej tyre fëmijë. Janë dhunuar shumë gra, 120 mijë shtëpi janë djegur apo dëmtuar, 860 mijë refugjatë është dashur të ikin për shkak të gjenocidit të Serbisë dhe nuk ndiejmë që drejtësia është përmbushur. Ne do të forcojmë institucionet tona në Kosovë dhe përpiqemi t’i dënojmë kriminelët e luftës dhe kemi nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sepse çdo gjë tregon se pajtimi dhe paqja e qëndrueshme pa drejtësi nuk mund të arrihet”.

Të ngjashme