OpEd
Putini e nisi një luftë të re anti-kolonialiste, por këtë herë Moska është caku
Demokracia
08:20 | 25 Prill 2022

Share:

Nga: Nick Cohen, kolumnist i Observer-it / The Guardian

Historia po shkon në një skaj. Askush s’e di cilën anë do ta marrë. Ndoshta do të bie perandoria ruse, e fundit dhe më e tmerrshmja e perandorive evropiane. Ose, ndoshta do ta durojë goditjen dhe do të mbijetojë ashtu siç ka mbijetuar dhe siç është zgjeruar që nga shekulli XVII. Do të ishe budalla nëse vë bast kundër. Varrezat e Euroazisë janë plot me ata që e bënë këtë.

Megjithatë, heroizmi befasues i rezistencës ukrainase dhe gabimi i çmendur i regjimit putinist po bëjnë që kundërshtarët e Rusisë, që nga Siria në Azinë Qendrore e deri te Gjeorgjia dhe Moldavia, ta shtrojnë pyetjen e kthesës rrënjësore: “Çka nëse?”

Çka nëse perandoria bie? Çka nëse strukturat që për shekuj të tërë kanë rezistuar dhe kanë skllavëruar, mund të shpërthejnë si kamionët që pëlcasin në autokolonën me municione ruse?

Kur flet me burrat dhe me gratë e përfshira në atë që është – sikur ta shihte e majta globale këtë – lufta më e madhe anti-kolonialiste e kohëve tona, dëgjon se si po kalojnë nëpër fazat e një përkushtimi revolucionar: që nga protestat paqësore, te dënimet me burg e deri te të kuptuarit se mosbindja civile kurrë nuk do të mjaftojë.

Jetët transformohen dhe gjasat shtohen. Historia e Timur Mitskievichit i jep jehonë protestave anti-kolonialiste të shekullit XX. Në vitin 2020 ishte adoleshent në Minsk, kur diktatori bjellorus, Alexander Lukashenko, i manipuloi zgjedhjet presidenciale – pasi e kishte shtypur çdo sfidë ndaj sundimit të tij, qëkur erdhi në pushtet në vitin 1994. Mbështetësit e kandidates së opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya, dolën në rrugë në demonstratat më të mëdha popullore në historinë e Bjellorusisë.

Paradoksi i mosbindjes civile është se taktikat jo të dhunshme funksionojnë vetëm kundër regjimeve që, sado shtypëse që protestuesit i konsiderojnë ato, nuk janë aq shtypëse sa të mos binden ndaj ndryshimit. Me gjithë krimet dhe paragjykimet, autoritetet perandorake britanike në Indi në vitet 1940, si dhe qeveria amerikane e viteve 1960, u detyruan t’i dëgjonin Mahatma Gandhin dhe Martin Luther Kingun. Lukashenko nuk i dëgjoi kundërshtarët e vet. I terrorizoi ata. Ai nuk kishte pse të shqetësohej për publicitetin e keq kur tashmë i kontrollonte mediat. As nuk duhet të shqetësohet për reagimin e “komunitetit ndërkombëtar” meqë Vladimir Putini tha se do të mbante diktatorin në pushtet nëse ai heq dorë nga ajo pak gjë që ka mbetur nga pavarësia e Bjellorusisë. Vendi u bë përsëri koloni ruse, gjë që ka qenë pothuajse vazhdimisht – qëkur perandoria ruse e merr kontrollin e vendit më 1795.

Protestës iu bashkua edhe 17-vjeçari Mitskievich. Policia e rrahu aq keq sa që mjekët e futën në koma. Kur ishte në atë gjendje, nëna e tij vdesë duke i lënë pas nëntë fëmijë jetimë.

Mosbindja paqësore funksionon vetëm ndaj regjimeve që kanë aftësi për të pasur turp, por regjimet bjelloruse dhe ruse nuk kanë pikë turpi.

Bjellorusia, si Ukraina para vitit 2014, është një vend për të cilin perëndimorëve pak e hiç mendojnë. Nëse ky emër shkruhet sot, ajo është baza e Rusisë për sulmin e dështuar kundër Kievit. Në vitet 1990, triumfi i demokracisë liberale supozohej se ishte aq i pashmangshëm saqë Bjellorusinë e quajtëm “diktatura e fundit e Evropës”. Shiheni çudinë e kësaj, thamë ne. Por, ajo ende kapet pas sundimit të stilit sovjetik, një gabim që historia me siguri do ta korrigjonte kur marshonin idealet e tregjeve të lira dhe të shoqërive të lira.

Në vend që të ishte anakronik, Bjellorusia ishte model për të ardhmen. Pasi u bë shtet klientelist rus, Rusia u bë Bjellorusi e madhe, meqë Putini i hoqi liritë e kufizuara që ua kishte lejuar qytetarëve rusë në vitet 2000 dhe e imitoi diktaturën e Lukashenkos.

Për opozitën e dëbuar të Bjellorusisë, lufta e Ukrainës është lufta e tyre dhe një fitore e Ukrainës do ta hapte perspektivën e ndryshimeve radikale në të gjitha territoret që Rusia i frikëson dhe i kontrollon. Lufta e Ukrainës e ka bërë të qartë se si nacionalistët rusë i shohin sllavët lindorë – me paturpësinë për t’i refuzuar ata. Mediat zyrtare ruse thanë se ukrainasit, dhe si rrjedhojë bjellorusët, në fakt ishin rusë. Nëse e refuzojnë identitetin rus dhe thonë se i kanë kulturat dhe historitë e tyre të cilat ekzistonin përpara perandorisë ruse, veçse e vërtetojnë se janë “nazistë”. Asnjë formë e jetës njerëzore nuk mund të jetë kaq e ulët. Shteti rus e ka për detyrë t’i vrasë ose t’i dërgojë në kampet e punës; t’ua marrë fëmijët dhe ta shkel vendin e kulturën e tyre.

Kur javën e kaluar fola me këshilltarin e lartë të Tsikhanouskayas, Franak Viačorka – që është në mërgim në Poloni – ai tha se revolucioni është i vetmi opsion i mundshëm. Fliste me gjuhën e një oficeri të nëntokës e jo shumë si politikan që përpiqej të negocionte për zgjidhje. Regjimi i Lukashenkos është i “shtetit kolaboracionist”. Aktivistët që i sabotuan linjat hekurudhore të Bjellorusisë, për t’i ndaluar trupat dhe forcat e blinduara ruse që të shkojnë në Ukrainë, ishin “celula të rezistencës”.

Edhe në kohën sovjetike, Moska “e pranonte ekzistencën e kombeve bjelloruse dhe ukrainase”, tha Viačorka. Putini po e sjell një “formë të re të fashizmit” që e mohon qenien e tyre. Opozita bjelloruse me veprime të fshehta po lufton kundër kësaj. Ajo po përpiqet ta largojnë ushtrinë nga nënshtrimi ndaj Lukashenkos dhe ndaj Putinit. Në Bjellorusi, si në shumë vende të tjera, shpresa varet nga fitorja e Ukrainës që e ofron “mundësinë për të dalë nga sfera e influencës ruse”.

Epo, kemi mësuar të jemi shumë optimistë në vitet pas fundit të shekullit. Mund ta shohim mbijetesën e pushtetit brutal. Forcat e armatosura ruse padyshim se janë të korruptuara dhe të paafta. Por, mund ta shihni perandorinë duke fituar, siç ka fituar gjithmonë duke i hedhur rekrutët në beteja – pa menduar për jetët e tyre – dhe i duke terrorizuar civilët. Nga ana tjetër, inteligjenca perëndimore nuk e parashikon fitoren e shpejtë të Ukrainës, por një luftë të ashpër rezultati i së cilës është i pasigurt.

Ndaj gjithë kësaj, megjithatë ka një diçka, nëse jo optimizëm atëherë një pyetje e besueshme. Po sikur rënia e pjesshme e perandorisë ruse në vitet 1990 të pasohet nga disfata vendimtare në vitet 2020? Po sikur të bie e gjithë struktura e kalbur?

Mjekët e liruan Mitskievichin nga spitali. Ai tani po lufton në Ukrainë për versionin bjellorus të Brigadave Ndërkombëtare të Luftës Civile në Spanjë. Është njëri nga mijëra bjellorusët që dolën vullnetarë për t’iu bashkuar Batalionit “Kastuś Kalinoŭski”, i quajtur sipas udhëheqësit të një kryengritjeje kundër Perandorisë Ruse më 1863. Batalioni ka vepruar në betejat rreth Irpinit. Një ditë, anëtarët e saj do të kthehen në Bjellorusi me aftësi shumë të mira ushtarake. Ata do t’i shtrojnë pyetjet e tyre.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024