Por taksa e gjakut po paguhet, pa masë, nga të rinjtë me pamje krejtësisht të ndryshme: sy në formë bajameje, mollëza të larta mongole ose fytyrë të rrumbullakët nga Kaukazi.
Krahinat e humbura
Shpesh ata janë myslimanë nga Osetia e Veriut ose Dagestani, ose budistë tibetianë nga Buratia ose Republika e Tuvës, në kufijtë e Mongolisë.
Ka nga ata që vijnë nga ndonjë provincë e largët në Lindjen e Largët, jo shumë larg kufijve me Kinën dhe Korenë e Veriut, siç është provinca autonome hebreje, ku Stalini ishte përpjekur të dëbonte një pakicë të tërë të padëshiruar.
Në emër të ëndrrës perandorake të Putinit, këta të rinj nga vendet më të largëta kanë qindra herë më shumë gjasa të vdesin në Ukrainë sesa bashkëmoshatarët e tyre në Moskë apo Shën Petersburg.
Hulumtimet kokëforta dhe analizat e të dhënave, thonë se ata ishin të parët që u hodhën në “furrën e luftës” në javët më të përgjakshme.
Buriatët, për shembull, janë vetëm 0.3% e popullsisë, por ata ishin 4.5% e të vdekurve në tre javët e para të luftës.
“Tetë të vdekur nga Moska”
Pjesa e kazakëve etnikë të kapur nga “guri i mullirit” të luftës, është shtatë herë më i madh se pesha e tyre në popullsinë ruse.
Janë njerëz si ata dhe pakicat e tjera që e gjejnë veten të ekspozuar ndaj shumë më tepër sesa rusëve sllavë, të bardhëve dhe vendasve të qyteteve të mëdha evropiane.
Deri më sot, vetëm tetë persona kanë vdekur në luftë që janë nga Moska, në një popullsi prej njëzet milionë banorësh në zonën metropolitane.
Gjashtë herë më shumë vdekje njihen me siguri në Tuva, pavarësisht nga një popullsi mbi 60 herë më e vogël: probabiliteti për të vdekur, është qindra herë më i lartë, nëse dikush është ndër ata që kanë ardhur nga ana e gabuar e Rusisë.
Të shtyrë kundër zjarrit të armikut, po aq sa këta rusë aziatikë ose kaukazianë, kanë qenë deri më tani vetëm ukrainas nga territoret e pushtuara, të regjistruar me forcë përkrah ushtrisë së Moskës.
Ata janë rekrutuar me kërcënime dhe dhunë nga “republikat e pavarura” të Donjeckut dhe Luhanskut ose janë dërguar për të vdekur nën zjarrin ukrainas të Sevastopolit, i cili vetëm pak vite më parë Putini e përvetësoi nga kontrolli i Kievit.
Ka një rrjet klandestin në Rusi që mban llogari të të rënëve çdo ditë, sepse edhe ky është një akt rezistence civile nën një regjim gënjeshtar: qeveria e Moskës kishte folur për 1351 që vdiqën më 25 mars dhe që atëherë asgjë më shumë.
Deri në atë pikë sa kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Duma-s ruse, Andrei Kartapolov, shkoi aq larg sa tha këtë muaj se heshtja mbretëron mbi të vdekurit në Ukrainë “sepse nuk ka më”.
“Silicon Valley”
Maria Vyushkova e di që nuk është kështu. Siç tregojnë tiparet e saj aziatike, (vjen nga Buratia), ajo u largua nga Rusia në vitin 2010 dhe sot është një studiuese e informatikës kuantike në Qendrën Kërkimore Kompjuterike të Notre Dame në “Silicon Valley” të Kalifornisë.
Ekspertiza e saj, e bën atë të dobishme në menaxhimin e bazës së të dhënave të krijuar për të përgënjeshtruar gënjeshtrat e mëdha të Putinit për të vdekurit.
“Nuk e imagjinoja kurrë që do ta gjeja veten në një rol të ngjashëm, – thotë Maria Vyushkova, 40 vjeçe. – Jemi e vetmja organizatë që numërojmë të rënët edhe me origjinë etnike”.
Janë qindra anëtarë të rrjetit të shpërndarë në njëmbëdhjetë zonat kohore ruse: secili ka zgjedhur me paraqitjen e elementëve të tjerë të besuar të rrjetit, dikush i autorizuar të njohë vetëm disa prej tyre.
Ndërsa të tjerë, punojnë në mënyrë që një arrestim ose tradhti të mos rrezikojë komprometimin e të gjithë strukturës. Ata punojnë sipas mundësive.
Ata vëzhgojnë gazetat lokale për njoftime vdekjeje ose nekrologji, shikojnë mediat sociale ruse, si platforma VKontakte ose Odnoklassniki (“Shokët e klasës”), ata lëvizin nëpër bisedat në Telegram, nëse dikush flet për një mik që ka vdekur në luftë. Vetëm në këtë mënyrë kanë evidentuar rreth 4 mijë prej tyre të ndarë sipas etnisë dhe rajoneve.
Numri i të vdekurve
Por disa vdesin pa pasur mundësinë që të tjerët të flasin për ta dhe për të lokalizuar këta persona, anëtarët e rrjetit vizitojnë varrezat, numërojnë varret e apo hapura dhe kontrollojnë nëse mbi ta qëndron një foto e një djali me uniformë.
Kështu, ata identifikuan 4000 të tjerë të rënë. Pastaj është numri i madh i personave të të zhdukur, shpesh pothuajse gjithmonë në heshtje, që e çon numrin në 12,000.
Dhe në fund, janë viktimat e grupit famëkeq pro-Putinit, “Wagner” dhe forcave të tjera të kontraktuara ng autoritetet ushtarake ruse.
“Numri ynë total i vdekjeve nga pala ruse, nuk është larg nga 15.000, për të cilët flet Pentagoni”, – thotë Vyushkova.
Sipas mendimit të saj, pakicat dërgohen të vdesin “nga përbuzja, jo nga projektimi i një spastrimi në stilin e Stalinit”.
Pjesërisht, janë gjithmonë më të varfrit e periferisë që regjistrohen në forcat ushtrake, siç ndodh me latinët e ushtrisë amerikane në Irak.
“Por Putini është i kujdesshëm të ruajë familjet e Moskës dhe Shën Petersburgut, sepse i frikësohet protestave në qytetet e mëdha, – shton Vyushkova. – Nëse vdesin disa buriatë në periferi, kush mund ta marrë vesh?”.