Lajme
Putini caktoi FSB-në për të vrarë Prigozhinin?
Demokracia
14:57 | 01 Korrik 2023

Share:

Shërbimet e sigurisë ruse janë të angazhuara në një komplot të vazhdueshëm vrasjeje kundër themeluesit të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, sipas kreut të inteligjencës së mbrojtjes të Ukrainës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gjeneralmajor Kyrylo Budanov e bëri këtë pretendim duke thënë se Kievi kishte qenë në dijeni të planeve të kryengritjes së Prigozhin “për një kohë të gjatë” dhe këmbënguli se grupi mercenar nuk do të jetë më një kërcënim në pushtimin në shkallë të plotë të Putinit.

Ndryshe, Prigozhin tha më 24 qershor forcat e tij kishin marrë kontrollin e objekteve ushtarake në Rostov-on-Don të Rusisë, pasi pretendoi se trupat e tij ishin shënjestruar nga ushtria ruse.

Por më pas ai anuloi marshimin e trupave të tij drejt Moskës pas një marrëveshjeje të raportuar që do ta bënte atë dhe disa prej trupave të tij të mërgoheshin në Bjellorusi.

Dhe kur u pyet nëse ai besonte se Prigozhin “do të vritej nga Putin”, Budanov u përgjigj: “Ne jemi të vetëdijshëm se FSB ishte ngarkuar me një detyrë për ta vrarë atë”.

“A do të jenë të suksesshëm për ta bërë këtë? Do të shohim me kalimin e kohës”, tha ai, duke shtuar, “tentativat e mundshme për vrasje nuk do të jenë të shpejta. Do t’u duhet pak kohë për të pasur qasjet e duhura dhe për të arritur në fazën kur janë gati për të shtuar një operacion të madh”.

“Është një çështje e madhe e hapur. A do të ishin ata të suksesshëm në përmbushjen e kësaj? A do të guxojnë ata ta ekzekutojnë atë urdhër?”.

Ndërkohë Newsweek thotë se ka kontaktuar Kremlinin për koment.

Mediumi në fjalë sjellë në pah deklaratën e Zev Faintuch, analist i lartë i inteligjencës në firmën e sigurisë Global Guardian, i cili tha kohët e fundit se Prigozhin ishte ende i dobishëm për Putinin dhe se marrëveshja e arritur për të anuluar kryengritjen e shefit mercenar ishte “e përkohshme”.

Faintuch tha se presidenti rus po pret “momentin e duhur për ta eliminuar atë në një kohë kur ai mendon se gjasat e goditjes nga ultranacionalistët janë më të ulëta”.

Në anën tjetër, Newsweek kujton deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili ka thënë se Wagner do të vazhdojë të veprojë në Afrikë.

Veç këtyre, Budanov ka vlerësuar se Prigozhin dhe Wagner nuk do të paraqesin probleme për Ukrainën në Bjellorusi, ku thuhet se po ndërtohen kampe për grupin mercenar “sepse nuk është planifikuar një rivendosje masive e PMC (Grupi Wagner) në Bjellorusi”.

Qendra atje është “për qëllime logjistike”, tha ai, e cila “po krijohet për operacionet e Wagner jashtë shtetit, kryesisht në Afrikë”.

Budanov beson se marrëveshja e arritur nga Prigozhin ka “blerë pak kohë” për lidershipin e Rusisë, por se pozicioni i tyre i pushtetit “u dëmtua shumë” nga rebelimi i javës së kaluar dhe “nuk do të jetë më i njëjti”.

Të ngjashme