Lajme
Putin nuk pendohet për luftën në Ukrainë: Përplasja NATO-Rusi, një katastrofë
Demokracia
21:22 | 14 Tetor 2022

Share:

Për Vladimir Putin “për momentin nuk ka më nevojë për sulme masive” në Ukrainë, veçanërisht në infrastrukturë.

“Rusia nuk dëshiron të shkatërrojë Ukrainën”, siguroi ai, megjithatë, ai paralajmëron komunitetin ndërkombëtar pas sulmit në urën e Krimesë.

“Rusia do të mbyllë korridorin e dërgimit të grurit nëse konfirmohet se eksplozivët e përdorur janë dërguar nga Odesa”, tha ai.

Presidenti rus u përgjigj me “jo”, kur gazetarët e pyetën nëse i vinte keq për ndonjë gjë për konfliktin në Ukrainë të nisur në 24 shkurt të këtij viti.

“Dua të sqaroj. Kjo që po ndodh sot është, thënë më butë, e pakëndshme, por të njëjtën gjë do ta kishim pak më vonë, vetëm në kushte më të këqija për ne. Pra, ne po veprojmë me korrektësi dhe me shpejtësi”, tha Putin, i cili urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt, duke shkaktuar një konflikt në të cilin kanë humbur jetën deri tani dhjetëra mijëra njerëz. Në Ukrainë “ne po bëjmë gjithçka siç duhet”.

Gjatë deklaratës, Putin tha se dërgimi i trupave të NATO-s në fqinjin lindor do të ishte një katastrofë.

“Dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë për një konfrontim të drejtpërdrejtë me ushtrinë ruse do të ishte shumë i rrezikshëm dhe mund të shkaktonte një katastrofë globale”, paralajmëroi presidenti rus, duke folur para gazetarëve në fund të samitit euroaziatik në Astana.

Putin tha se nuk sheh “nevojë” për bisedime me Joe Biden, duke iu referuar mundësisë së një takimi ballë për ballë me presidentin amerikan në samitin e G20 në Indonezi.

Gjatë konferencës për shtyp në Artana, Putin tha: “Mobilizimi i pjesshëm rus do të përfundojë së shpejti”, ai do të “përfundohet brenda dy javësh: 222 mijë rezervistë janë mobilizuar nga 300 mijë”, shkruan gazetasi.al.

Dhe shtoi se “cilësia e mobilizimit duhet të përmirësohet” dhe se “të gjithë të mobilizuarit duhet të trajnohen”.

Ndërkohë, gjatë samitit, Putin konfirmoi se Rusia është e hapur ndaj perspektivës së bisedimeve me Ukrainën, sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve ruse “Tass”.

Të ngjashme