Lajme
Putin nderon brigadën që akuzohet për krime lufte në Bucha
Demokracia
18:38 | 18 Prill 2022

Share:

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 18 prill ka nderuar një brigadë, që Ukraina e akuzon për “krime lufte” dhe vrasje masive në qytetin e Buchas, që gjendet pranë Kievit.

Njoftimi për ndarjen e titullit ndaj kësaj brigade vjen në ditën e 54-të të pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, teksa vlerësohet se mijëra persona javë vrarë dhe 12 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Lufta në Ukrainë është shndërruar në krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putin nënshkroi dekretin për ndarjen e titullit “Mbrojtës” për Brigadën e 64-të të pushkëve të motorizuara për mbrojtjen “e atdheut dhe interesave të shtetit”. Në dekret pjesëtarët e kësaj brigade u lavdëruan për “heroizmin masiv dhe guximin si dhe këmbënguljen”.

Në fillim të prillit, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se kjo njësi kishte okupuar Buchan dhe kishte kryer “krime lufte”.

Drejtoria e Inteligjencës së Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes ka publikuar emrat, gradat dhe detajet e pasaportave të anëtarëve të kësaj brigade, duke thënë se ata do të përballen me drejtësinë.

Shumica e personave të vrarë në Bucha kanë vdekur nga plagët me armë zjarri, tha policia ukrainase javën e kaluar.

Pas largimit të trupave ruse nga ky qytet, trupat e pajetë të banorëve u gjetën në rrugët e këtij qyteti, disa prej të cilëve kishin të lidhur duart pas shpine.

Kremlini ka mohuar akuzat se forcat ruse janë përgjegjëse për vrasjen e civilëve në Bucha, duke thënë se imazhet e trupave të pajetë të civilëve, që janë publikuar, janë “të rreme”. /Rel

Të ngjashme