OpEd
Putin ka rënë viktimë e sëmundjes së diktatorit
Demokracia
13:32 | 11 Prill 2022

Share:

Nga Hal Brands “Bloomberg”

Fundjavën e kaluar u rizgjodh në detyrë njeriu që shpesh mendohet si proto-Putini i Evropës: Viktor Orban, kryeministri hungarez që e ka sulmuar demokracinë e vendit të tij, ndërsa synon të dobësojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Megjithatë Orban duhet të jetë i kujdesshëm se kë imiton. Nëse performanca e fundit e presidentit rus Vladimir Putin është ndonjë tregues, ai ka rënë viktimë e sëmundjes së diktatorit, pra tendencës për pushtet absolut që shton prirjen për llogaritje të gabuara që kanë pasoja katastrofike.

Ecuria e luftës në Ukrainë e ka treguar vazhdimisht këtë mani. Sulmi kryesor rus kundër Kievit ka dështuar, me një kosto të jashtëzakonshme në njerëz dhe materiale. Moska po përpiqet të arrijë ndonjë fitore duke goditur bazën industriale të Ukrainës. duke vrarë qytetarët e saj, dhe duke u ri-pozicionuar për të kryer sulme të tjera në lindje. Sipas një raportimi të fundit, ky dështim ishte produkt i llogarive të bëra gabim që në krye të herës.

Putini e nënvlerësoi vullnetin dhe kapacitetin e Ukrainës për të rezistuar, duke mbivlerësuar forcat e armatosura ruse. Ai nuk e mori në konsideratë faktin se një pushtim në shkallë të gjerë, do të sillte sanksione të ashpra të Perëndimit.

Ai gjykoi se duke ndërmarrë një tjetër sulm ushtarak, do të arrinte një tjetër fitore me kosto të ulët, siç kishte ndodhur më parë në Gjeorgji, Krime dhe Siri. Kështu Putin e futi vendin e tij në një luftë të paplanifikuar, që paraqet rreziqe të jashtëzakonshme, dhe që ka pak shanse që ta fitojë.

Të gjithë liderët bëjnë gabime, por historia na ka treguar se liderët autoritarë që kanë qëndruar më gjatë në pushtet, janë veçanërisht më të rrezikuar. Këta liderë distancohen gjithnjë e më shumë nga këshilltarët e tyre, dhe bëhen më pak tolerantë ndaj mendimit ndryshe.

Ata i spastrojnë administratat shtetërore, për t’i mbushur më pas me të njohurit e tyre dhe njerëz joprofesionistë. Ata dehen nga deliri i madhështisë së tyre, duke humbur kështu të gjitha aftësitë kritike. Putini nuk është tirani i parë që bën gabime të tilla.

Fakti që Hitleri kishte dalë vazhdimisht i fituar nga mosmarrëveshjet e nënshkruara midis viteve 1936-1940, dhe që gjatë kësaj kohe e kishte mbushur qeverinë e tij me servilë, e inkurajoi atë të ndërmerrte një rrezik shumë të madh, duke i shpallur luftë Bashkimit

Sovjetik dhe SHBA-së, dhe duke humbur më pas gjithçka kishte arritur.

Kulti i individit që kultivoi Mao Ce Duni e bëri më të lehtë zhytjen e e Kinës në kataklizmat e çmendurisë njerëzore – Hopi i Madh Përpara dhe Revolucioni Kulturor – që shkaktuan një masakër të paparë dhe të padëgjuar ekonomike dhe njerëzore.

Prirja e Sadam Huseinit për të vrarë këshilltarët që e kundërshtonin atë, bëri që llogaritë e tij vazhdimisht të gabuara, ta çonin në mënyrë të pashmangshme Irakun nga fatkeqësia në fatkeqësi. Putin, i cili për 20 vjet me radhë ka investuar ta bëjë Rusinë një diktaturë të personalizuar, po e çon vendin e tij në të njëjtin drejtim.

Humbjet e vazhdueshme të ushtrisë ruse dhe masakrat ndaj banorëve vendas në zonat e pushtuara të Ukrainës, tregojnë se sa larg ka shkuar procesi. Dhe ndërkohë që bëhen zbulime të tilla, media shtetërore ruse publikon një ese e cila i bën jehonë etiketimit të çuditshëm që presidenti rus Vladimir Putin i bëri qeverisë ukrainase, duke e quajtur atë një regjim nazist, dhe duke bërë njëkohësisht thirrje për ekzekutime masive dhe punë të detyruar për të “denazifikuar” vendin.

Nëse një udhëheqës i plotfuqishëm beson apo thotë diçka qesharake, vartësit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ta pranojnë zhgënjimin. Madje ta kenë atë si bazë ideologjike, që do të shërbejë për mizori të tjera në shkallë edhe më të gjerë.

Sëmundja e diktatorit, është një lajm i keq për Rusinë:Lufta në Ukrainë mund të përfundojë në shkatërrim ekonomik dhe ushtarak për Moskën. Megjithatë, një shtet i fuqishëm, i cili udhëhiqet nga një udhëheqës brutal, por i ngathët, nuk do të krijojë asnjë keqardhje për pjesën tjetër të botës.

Dhe nëse Putin tashmë e ka humbur arsyen, ka gjithashtu arsye për t’u shqetësuar për aleatin e tij euroaziatik, autokratin e Kinës Xi Jinping. Xi, ashtu si edhe Putin, ka tashmë shumë vite që vazhdon të qëndrojë në pushtet. Ai ka hequr qafe thuajse këdo që mund të përbëjë kërcënim për të.

Hapësira për shprehjen e mendimit ndryshe brenda dhe jashtë qeverisë, po ngushtohet çdo ditë edhe më shumë, pasi po shpërfaqen gjithnjë e më shumë “Mendimi i Xi Jinping” dhe aspekte të tjera të kultit të tij të personalitetit.

Konsolidimi i pushtetit të Xi, ka bërë që Kina të shpërfaqë një politikë të jashtme më agresive, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet për luftë, gjë që distancuar shumë prej demokracive të përparuara të botës.

Edhe zyrtarë të lartë brenda Pekinit kanë shprehur shqetësim, ndonjëherë në mënyrë direkte dhe nganjëherë në mënyrë indirekte, se qeverisja diktatoriale e Xi dhe armiqësitë ndërkombëtare po i dëmtojnë perspektivat e vendit.

Një vendim i gabuar dhe shumë i rrezikshëm do të ishte sulmi ndaj Tajvanit. Xi e ka urdhëruar Ushtrinë Çlirimtare Popullore të ushtrojë aftësitë e saj për një sulm të mundshëm ndaj Tajvanit, dhe PLA ka bërë përparime të jashtëzakonshme.

Por kush e di nëse udhëheqësit e saj do të kenë guximin ta zemërojnë shefin e tyre, duke i paraqitur atij një vlerësim real të dobësive të vazhdueshme të ushtrisë, dhe rreziqeve që paraqet sulmi ndaj Tajvanit, apo nëse Xi është i gatshëm që t’i dëgjojë ata?

Po sikur Xi, i cili e paraqet veten si një udhëheqës i përjetshëm, teksa deklaron se statusi anormal i Tajvanit nuk mund të vazhdojë edhe në brezin e ardhshëm, të ketë arritur të ngatërrojë madhështinë e tij të perceptuar me atë të shtetit kinez?

Gjykimi i gabuar i dëmton në fund vendet dhe sundimtarët e tyre, ashtu siç po ndodh sot me Putinin, ndoshta me Xi-në, dhe Orbanin më pas. Ajo që ndodh, nuk është diçka e mirë për askënd. Aspekti i burrit të fortë, dinak dhe agresiv, ka kohë që i shqetëson strategët amerikanë. Megjithatë, autokrati, gjykimi i të cilit është verbuar nga autoriteti i tij i pakundërshtueshëm, është mjaft kërcënues.

Shënim:Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins.

Të ngjashme