Lajme
Putin ka reaguar ashpër kur Macron i ka përmendur Mariupolin, ja detajet e bisedës
Demokracia
14:43 | 30 Mars 2022

Share:

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se bombardimet e qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit do të ndalen vetëm kur trupat ukrainase në atë qytet, të cilët ai i quajti militantë nacionalistë, të dorëzohen, transmeton Demokracia.com.

Putin e komentoi këtë gjatë një bisede telefonike një orëshe me presidentin francez Emmanuel Macron të martën mbrëma, tha Kremlini në një deklaratë.

Por zyrtarët francezë thanë se lideri rus kishte pranuar megjithatë të shqyrtonte planet për evakuimin e civilëve nga qyteti.

Zyrtarët e pallatit Elysee e quajtën situatën në qytet katastrofike, duke shtuar se “popullsia civile duhet të mbrohet dhe duhet të largohet nga qyteti nëse dëshiron”. Ata gjithashtu thanë se banorët duhet të kenë qasje në shqim, ujë dhe ilaçe që u nevojiten, raporton BBC.

“Situata humanitare është e lidhur me rrethimin e qytetit nga forcat e armatosura ruse”, tha zyra e presidentit francez. Franca i paraqiti Putinit një plan për evakuimin e qytetit, të hartuar në bashkëpunim me Turqinë, Greqinë dhe disa grupe humanitare, të cilin Putin tha se do ta konsideronte.

Zyrtarët rusë thanë se Putin i kishte thënë udhëheqësit francez se “për të zgjidhur situatën e vështirë humanitare në këtë qytet, militantët nacionalistë ukrainas duhet të ndalojnë rezistencën dhe të dorëzojnë armët”. /Demokracia.com/

Të ngjashme