Lajme
“Pushtimi rus i aeroportit të Sllatinës”, ish-kryeministri rus tregoi prapaskenat
Demokracia
10:52 | 24 Prill 2023

Share:

Shaqir Vukaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, në librin “Prapaskenat e kapitullimit të Millosheviçit”, kishte përmbledhur kujtimet e dy negociatorëve, SHBA-së e Rusisë, Talbott e Çërnomërdin.

Gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999, Viktor Çërnomërdin ishte përfaqësues special i Presidentit të Rusisë, Boris Jelcin, për Jugosllavi. Ai, po ashtu, ishte më herët edhe Kryeministër i Federatës Ruse.

Ai kishte treguar detaje interesante sesi forcat ruse e morën nën kontroll aeroportin e Sllatinës dhe sipas tij, ky operacion ishte bërë me urdhër të presidentit rus Boris Jelcin.

Në situatën e atëhershme, një përshtypje të pashlyeshme, shkaktoi tek të gjithë, marshimi rrufe për në Kosovë, i brigadës së desantimit, pjesë e forcave paqeruajtëse në Bosnjë. Natën në mes 11 dhe 12 qershorit, në errësirën e natës, një batalion desantimi i përbërë nga 16 transportues të motorizuar dhe 20 automjete, papritmas u shkëput nga pozicionet e veta dhe kaloi kufirin boshnjako – jugosllav. Ai, në kuptimin e plotë të fjalës marshoi, nëpërmjet territorit jugosllav, për në Kosovë, duke bërë 430 kilometra, për shtatë orë e gjysmë dhe zuri pozicionet afër objektit më të rëndësishëm strategjik, aeroportit të Sllatinës, në afërsi të Prishtinës, duke shkaktuar edhe pasiguri e habi tek pala e NATO-s“, tregon në rrëfimin e tij Çërnomërdin, transmeton Demokracia.com.

Ai më tutje thekson se “Habi, sepse, dislokimi u bë me shpejtësi të rrufeshme. Pasiguri, sepse, në bisedime, as që ishte zënë në gojë dislokimi i brigadës. Në Bosnjë ishin rreth 1.300 paqeruajtës rusë. Të dislokosh një batalion prej dyqind vetash, me armatime dhe pajisje përkatëse, nuk është një punë e vogël. Për më tepër që, prania kontrollohej nga komanda ndërkombëtare, ndërsa territori jugosllav ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm“.

Duke i treguar prapaskenat për këtë operacion, ai e ka përmendur edhe ish-presidentin rus Boris Jelcin.

Ditën tjetër në Bruksel dhe Uashington mbretëronte paniku, telefonat nuk pushonin, ndërmjet të tjerëve edhe nga udhëheqja e ShBA. Kur u sqarua situata dhe trupat e NATO-s, po lëviznin drejt Kosovës, atëherë ishte vonë, desantët rusë, kishin zënë aeroportin, atje, ku sipas skenarit të NATO-s duhej të vendosej pika e komandimit e gjeneralit britanik. Të gjithë tentativat e ushtarakëve britanikë dhe francezë, për të sprapsur desantët tanë, nuk sollën asgjë. Desantët gjakftohtë rusë, bllokuan rrugën dhe nuk i lejuan ushtarakët britanikë të futeshin brenda. Përpunimi dhe zbatimi i operacionit ishin me të vërtetë të pazakonshëm. Për këtë u duhet dhënë haku ushtarakëve tanë të Shtabit të Përgjithshëm. Operacioni ishte rakorduar me Kryekomandantin e Forcave të Armatosura të vendit, Presidentin e Federatës Ruse B.N. Jelcin. I padiskutueshëm është edhe fakti se udhëheqja ushtarake jugosllave kishte dhënë menjëherë aprovimin për kalimin e kolonës së trupave ruse nëpërmjet territorit të saj”. /Demokracia.com/

Të ngjashme