Lajme
Pushteti “sulmon” BE-në e ShBA-në, e quan të padrejtë qasjen e tyre
Demokracia
12:19 | 08 Shtator 2024

Share:

Reagimet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës pas vendimit për mbylljen e komunave paralele serbe në veri janë shqetësuese sipas dy partive opozitare LDK dhe AAK.

Megjithëse thonë se strukturat ilegale serbe në veri duhet të shuhen, të njëjtit e konsiderojnë të domosdoshëm koordinimin me aleatët perëndimorë.

Në anën tjetër, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje deklaratat e ashpra të aleatëve i konsiderojnë të padrejta, derisa theksojnë së shuarja e strukturave ilegale në veri nuk janë provokuese, por respektim i rendit dhe ligjit.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti dhe ministrat e ti janë të izoluar nga aleatët ndërkombëtarë. Sipas saj, masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe mos largimi i tyre janë alarm për prishjen e raporteve me aleatët perëndimorë.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaron se Kosova si pasojë e veprimeve të gabuara të kryeministrit Kurtit po humb aleatët dhe miqtë perëndimorë.

Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, megjithëse i konsideron të padrejta reagimet e aleatëve ndërkombëtarë për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, deklaron se raportet nuk janë përkeqësuar. 

Pas mbylljes së strukturave paralele në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kualifikuar si “veprime provokuese dhe të njëanshme.”

Të ngjashme