Lajme
Pushteti i Vetëvendosjes ua rëndon edhe më shumë jetën veteranëve në Anamoravë
Demokracia
13:14 | 24 Qershor 2022

Share:

Pas përjashtimit nga Ligji për Pagë Minimale, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tani e tutje, pasi pushtetin në Gjilan e mori Lëvizja Vetëvendosje, po detyrohen të paguajnë edhe për mbeturinat nga kompania “Eco-Higjiena”

Ata në fillim të muajit gusht do të marrin faturën e muajit korrik.

Veteranëve të Gjilanit, Kamenicës e Vitisë, u ka shkuar nga një letër prej kompanisë publiko-private Eco-Higjiena.

Në letrën e siguruar nga Demokracia.com ata janë njoftuar për vendimin e ri.

“Tashmë janë bërë më shumë se 20 vjet që kur ju luftuat për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kosova është falë jush Republikë e pavarur që nga 17 shkurti 2008, që atëherë kompania Higjiena ka ofruar shërbimet e saj për veteranët pa pagesë. Si rezultat Eco—Higjiena ka hequr dorë çdo vit nga 54 mijë euro të ardhura të saj. Gjatë kësaj kohë, shumë veteranë kanë gjetur punë të reja, janë sipërmarrës ose kanë dalë në pension dhe kanë të ardhura si shumë qytetarë të tjerë. Që nga viti 2012, tarifa e mbeturinave për amvisëri ka mbetur e pandryshuar, me 5 euro në muaj. Kompania Ec-Higjiena nuk është më në gjende të ofrojë shërbim pa pagesë”, thuhet në letër, përcjell Demokracia.com.

Në letër thuhet se deri te ky vendim ka ardhur pas situatës së krijuar nga pandemia dhe nga lufta në Ukrainë. Kjo po bëhet edhe në emër të trajtimit të barabartë dhe solidaritetit me të gjithë qytetarët.

“Situata e përgjithshme vendore dhe ndërkombëtare, çrregullimet ekonomike dhe financiare që shkaktoi pandemia Covid 19, e tash së fundmi edhe lufta në Evropën Lindore as ne nuk jemi të përjashtuar nga dedikimet e tilla e sidomos të energjetikëve, pa të cilat nuk mund të kryejmë shërbim të mirëfilltë. Prandaj, bordi i kompanisë Eco-Higjiena në mbledhjen e datës 26 maj 2022 vendosi që në kuptim të trajtimit të barabartë dhe solidaritetit me të gjithë qytetarët në rajonin tonë, nga 1 korriku 2022, tarifa e grumbullimit-bartjes së mbeturinave të aktivizohet edhe për veteranët. Ju do të merrni faturën e parë për muajin korrik në fillim të gushtit në vlerë prej 5 euro dhe ju kërkojë që të paguani tarifën e mbeturinave çdo muaj”, thuhet tutje në letër.

Rastet e invalidëve të luftës dhe ato sociale mbeten të përjashtuara nga tarifa deri në një njoftim të dytë.

“Nëse i përkisni njërit prej këtyre grupeve, ju lutem na tregoni. Ju falënderojmë dhe ju jemi mirënjohës për kontributin e secilit prej jush në të gjitha fazat e zhvillimit shoqëror dhe kërkojmë të keni mirëkuptim për situatën nëpër të cilën është duke kaluar kompania dhe domosdoshmërinë për hapat e ndërmarra në ruajtjen e mëtutjeshme të shërbimit ndaj qytetarëve si dhe qëndrueshmërisë financiare. Stafi ynë dhe unë, jemi në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe kërkesave tuaja, nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në 16:00 në zyrën tonë, në Fehmi Agani 17”, thuhet në letër.

Për 10 vite me radhë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve dhe rastet sociale, nuk kanë paguar për shërbimet e kompanisë rajonale të pastrimit “Eco-Higjiena” në Gjilan, Kamenicë e Viti. Kështu kishin vendosur qeverisjet e kaluara komunale dhe bordi i vjetër i kësaj kompanie, raporton Demokracia.com.

Mirëpo, bordi i ri i kompanisë “Eco-Higjiena”, kompani kjo në partneritet publiko-privat me tri komunat kryesore të Anamoravës, tashmë ka marrë vendim që këto familje nga 1 korriku i këtij viti të detyrohen të paguajnë për shërbimet e “Eco-Higjienës”.

Sipas vendimit që kishte siguruar Demokracia.com, në mbledhjen e mbajtur më 3 mars, Bordi i Drejtorëve e ka marrë këtë vendim dhe të gjitha këto kategori që ishin të liruara në të kaluarën tashmë do të kthehen në klientë të rregullt.

Kompania “Eko-Higjiena”, aktivitetin e saj e shtrinë në Gjilan, Viti dhe Kamenicë, ndërsa marrëveshje bashkëpunimi ka edhe me Komunën e Artanës, Parteshit, Ranillukut dhe Kllokotit. /Demokracia.com/

Të ngjashme