Lajme
Pushteti i frikësohet veprimeve të Prokurorisë Speciale, nuk i ndalë sulmet ndaj saj
Demokracia
21:14 | 28 Gusht 2023

Share:

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar sërish një fushatë sulmuese kundër Prokurorisë Speciale, duke i hapur kështu një “luftë frontale”, me pretendimin se institucioni është “kapur” nga ish-pushtetarët dhe se veprimtaria e saj është e ndikuar nga ata.

Ndonëse jo për herë të parë, LVV-ja thotë se opozitarët po e përdorin mjetin e fundit që e kanë në duar e që sipas tyre është pikërisht Prokuroria Speciale.

Megjithatë, LVV-ja thotë se ata do të dështojnë të gjithë së bashku, pasi “ne jemi me popullin dhe për ta do të qeverisim”.

LVV-ja, deklaron se partitë opozitare janë organizuar për ta sulmuar Qeverinë Kurti, raporton Paparaci.

Në të njëjtën kohë, ndërsa bën këto akuza, Qeveria Kurti shprehet se nuk do të lejojë që kjo situatë të zgjatë.

Kjo pasi sipas tyre, drejtësia do të vijë për ish-pushtetarët e për secilin, pasi “ne nuk korruptohemi e as nuk shantazhohemi”.

“U organizuan të sulmojnë. Provuan të inskenojnë gjithfarëlloj protestash duke keqpërdorur grupe që kanë halle të rëndë në shoqërinë tonë. Hodhën në ajër ide imagjinare për afera gruri, afera vaji, afera e martini, afera këso e aso, dhe kur panë që asgjë s’po ngjet. Dolën me audioincizime të militantëve të tyre për të provuar baltosjen e njerëzve tanë në institucione”, thuhet në videon e LVV-së, të publikuar të hënën në Facebook.

“Asnjë provë a dëshmi, por vetëm shpifje ndaj qeverisë që nuk po ua lagë fytin si qeverisjet e kaluara. Ndryshimi i madh që tashmë është duke u jetësuar në Kosovë është i pandalshëm. Nomenklatura e moçme po e përdorë mjetin e fundit që e ka në duar prokurorinë speciale. Por, do të dështojnë të gjithë se bashku… Ne jemi me popullin dhe për ta do të qeverisim”, thuhet tutje në video.

Një gjuhë e tillë nga partia në pushtet e prej qeveritarëve karshi sistemit të drejtësisë është kundërshtuar, edhe pse e njëjta është përsëritur goxha shpesh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë në Kuvend e kishte sulmuar Prokurorinë, pas arrestimit të ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Kurti ishte shprehur i bindur se në Prokurori ekziston një disponim negativ karshi Qeverisë që drejtohet nga vetë ai.

“Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, thoshte Kurti.

Të ngjashme