Lajme
Punëtorët ndërpresin grevën, kompania “Pastrimi” ua rritë pagat
Demokracia
14:16 | 15 Mars 2023

Share:

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” e kanë ndërprerë grevën – e cila nisi më 13 mars – pasi kërkesa për rritjen e pagave u është plotësuar.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se vendimin për rritje e mori Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e jashtëzakonshme.

Florim Cakiqi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve, i tha dje Radios Evropa e Lirë se pagat e punonjësve fizikë në këtë kompani janë 330 euro, kurse kërkesa e tyre është që kjo vlerë të arrijë 400 euro.

Në vendimin e publikuar, përveç punëtorëve fizikë, pagat për 70 euro janë rritur edhe për shumicën e pozitave tjera, si: vozitës, kryepunëtor, autolarës, autoelektricist, shtëpiak etj.

Në njoftim thuhet se “ekipet kanë dalë në terren për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave” dhe se kryerja e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave do të vazhdojë sipas planit dhe orarit të rregullt operativ.

Të martën, kontejnerë të shumtë në Prishtinë ishin mbuluar nga mbeturinat.

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024