Lajme
Punëtorët e plagosur mbrëmë në Prishtinë po trajtohen në QKUK, njëri prej tyre në intenzivë
Demokracia
13:40 | 09 Mars 2021

Share:

Të plagosurit nga tentimplaçkitja e mbrëmshme në afërsi të liqenit të Badocit janë në gjendje stabile.

Dy punëtorë të një kompanie të sigurimit kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e së hënës, pas një tentimplaçkitje e parave në afërsi të liqenit të Badocit.

Njëri nga të plagosurit është në intensivë, pas intervenimit kirurgjik nga kirurgët torakalë, ndërsa tjetri vazhdon të jetë i shtrirë në Kirurgjinë Torakale.

Kjo është konfirmuar nga Zyra për Informim në SHSKUK për Demokracia.com.

“Njëri nga të plagosurit është në intenzivë, pas intervenimit kirurgjik nga kirurgët torakalë. Sipas mjekëve, për momentin ka gjendje stabile. Ndërsa tjetri, aktualisht është në Kirurgji Torakale, i cili po vazhdon trajtimin dhe është jashtë rrezikut”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndërkaq, sot Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin, ku u bë e ditur se kamioneta në të cilën ndodheshin të dyshuarit që tentuan vjedhjen e parave nga automjeti që i transporton ato, është gjetur e djegur në fshatin Parallovë të Gjilanit.

“Është raportuar se në rrugën magjistrale Gjilan-Prishtinë (fshati Mramor) disa persona të maskuar, të armatosur me armë të gjata me një kamionetë me targa vendore, kishin ndaluar automjetin e kompanisë me të cilin kryhej transporti i parave, në të cilin  ndodheshin katër  meshkuj kosovarë. Të dyshuarit kishin gjuajte me armë zjarri në drejtim të viktimave ku si pasoj janë plagosur dy prej viktimave. Viktimat janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Kamioneta të cilin e kishin përdorë të dyshuarit është gjetur e djegur në fsh. Parallovë të Gjilanit. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i shtetit, nuk raportohet për të arrestuar, rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia me anë të raportit 24-orësh./Demokracia/

Të ngjashme