Lajme
Punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, që shtatë ditë në grevë
Demokracia
12:55 | 28 Maj 2025

Share:

Për të shtatën ditë me radhë punëtorët e Kompanisë Rajonale “Pastrimi” janë në grevë përpara komunës së Prishtinës. Ata, ditë më parë, kanë vendosur edhe një tendë aty dhe po qëndrojnë 24 orë me ndërrime.

Aziz Vrajolli, punëtor i kompanisë “Pastrimi”, tha për RTK-në se kërkesat i kanë dorëzuar, por ende nuk kanë marrë asgjë që kanë kërkuar. “Derisa mos të merret një vendim për ne, nuk dalim nga këtu”, tha ai.

Ai tregoi se kërkesat e tyre janë kthimi i borxheve, 2 milionë e 700 mijë. Gjithashtu, ai bëri me dije se po i kërkojnë të drejtat e tyre që t’ia fillojnë punës sa më parë dhe njoftoi se pjesë e grevës janë afërsisht 500 punëtorë

Vrajolli tregoi se para katër muajsh s’kanë pasur mjete të mjaftueshme për të operuar. “Ato janë vjetruar. Tash i kemi mjetet, por mungojnë derivatet. E kemi gjetur për zgjidhje vetëm për mos ta lënë qytetin pa pastruar, por i kanë futur privatët dhe s’kemi ku shkojmë më”, tha Vrajolli.

Ndërkaq Naser Hajdini, punëtor tjetër nga kompania “Pastrimi”, tha se disa nga punëtorët nuk kanë të holla as për ushqim. “Është e vështirë për ndërrimin e natës, sepse po bëhet ftohtë, e për ndërrimin e ditës është pak më lehtë. Deri më tani nuk ka ndonjë shpresë, por ne nuk do të largohemi e, ndoshta, një ditë do të bëhet më keq, sepse ne nuk lëshojmë pe. Ne i kemi kërkesat tona publike. Nesër ndoshta do të rebelohemi e përgjegjësitë do t’i marrë kryetari i Prishtinës”, tha Hajdini.

Të ngjashme