Lajme
Punëtorët e KEK-ut protestojnë nesër për ngritjen e pagave, përkrahet nga BSPK-ja
Demokracia
11:05 | 15 Mars 2023

Share:

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës përmes protestës synon të bëjë presion për rritje të pagave për punëtorët.

Në konferencën për media, kryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, tha se protesta do të organizohet nesër për siç i quajti ai realizimin e kërkesave esenciale, raporton EO.

Ai përmendi sfidat me të cilat përballen këta punëtorë. Ai tha se ka pasur një premtim më herët nga drejtori menaxhues, por që deri më tani nuk është realizuar.

“Ne kemi caktuar protestë nesër në ora 12:00, tek drejtori në sheshin “Zahir Pajaziti”. Me qellim të bëjmë një presion për rritjen e pagave dhe na është thënë se nuk do të ketë rritje të pagave. Ne nuk kemi rritje te pagave , kemi rrezikshmëri të madhe në punë, kemi pasur premtim nga drejtori prej 22 shtatori të ketë shujta të ushqimit por nuk është bërë. Injorimi që ka ndodhur për shkak se ne kemi biseduar vetëm një herë ne 3 muaj. Ftojmë të gjithë punëtorët të dalin në protestë për realizimin e këtyre kërkesave esenciale”, tha ai

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, i quajti legjitime kërkesat e kësaj sindikate, kërkoi nga bordi menaxhues që t’i marrë për bazë kërkesat e tyre.

Këtë premtim tha duhet ta bëjnë shkaku i ngritjes së çmimeve në vend.

“Bashkimi i sindikatave të pavarura e përkrah këtë protestë. Dihet se gjithmonë sindikata i përdorin mjete e tyre për të arritur qëllimin. Ky qëllim është shumë minimal për ngritje të pagës sepse në Kosovë kemi ngritje marramendëse të çmimeve. BSPK kërkon nga drejtori menaxhues dhe bordi i KEK-ut që të ulen dhe të bisedojnë. Kërkesat janë shumë të ligjshme shumë normale, rritja e pagës, shujta e të tjera të cilat thashë janë shumë të rëndësishëm për anëtaret tonë”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i sindikatës, Selatin Sadiku, tha se kërkesa e tyre po bëhet shkaku i rritjes së çmimeve pagave të ulëta. Kërkoi që këtë ta bëjnë sa më shpejt, në mënyrë që hapat tjerë të mos jenë radikalë.

“Falë angazhimit maksimal të punëtorëve jemi kompania me profitabile në Kosovë. Kemi mbet 3 200 punëtorë, punohet me 3 ndërrime, llogarite të ketë rreth 30 mijë ton qymyr. Kërkesa është simbolike për rritje të pagave, ne jemi dëshmitarë që rryma është shtrenjtuar për tri kategori. ZRRE ka paralajmëruar qe do të ketë ngritje, shtohet pyetja se kush prodhon. Ne kërkojmë nga Menaxhenti dhe Bordi që kërkesat të miratohen më shpejt dhe të mos na detyrojnë që të marrim hapa sindikale radikale”, tha Sadiku.

Ndërsa një tjetër punëtor në këtë korporatë, kërkoi nga punëtorët tjerë që të marrin pjesë masivisht në këtë protestë. Ai kërkoi që deri nesër, menaxhmenti t’i plotësojë kërkesat e tyre.

Të ngjashme