Lajme
Punëtorët e Aviacionit Civil i arsyetojnë vonesat në punë me “bie shi, ka shumë delegacione…”
Demokracia
19:42 | 31 Maj 2022

Share:

Punëtorët e Autoritetit të Aviacionit Civil mund të konsiderohen rast i rrallë në administratën publike të Kosovës.

Këta punëtorë përmes sindikatës së tyre janë ankues të papërmirësueshëm për kushtet e tyre të punës.

Sindikata ishte ankuar se drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil u kishte shkruar vërejtje disa zyrtarëve për shkak se në punë nuk kishin shkuar me kohë dhe nuk kishin qëndruar deri në fund të orarit të punës.

Demokracia.com ka siguruar një e-mail “arsyetues” të një punëtori të AAC, që tregon arsyet e çuditshme pse vonohet në punë e del nga puna pa e përfunduar orarin.

Moti, aksidentet e delegacionet janë arsyet pse punëtorët e AAC-së vonohen në punë.

“Vonesat e mija janë të ndërlidhura me transportin dhe kushtet e trafikut që janë jashtë kontrollit tim meqenëse jetoj në periferi të Prishtinës, si dhe kolegu im dhe çdo ditë ballafaqohemi me situata të paparashikuara (moti, aksidentet, delegacionet etj.), dhe ndonjë herë mbes në trafik një orë në një drejtim për shkak të lokacionit të zyrës në qendër. E njëjta situatë është në shkuarje dhe 5 minuta përpara vlejnë shumë për të mos mbetur një orë në trafik”, thuhet në e-mailin e siguruar nga Demokracia.com.

Po ashtu, punëtori (emër i njohur për redaksinë) ka kërkuar nga drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të ketë mirëkuptim për punëtorët që vonohen në punë.

“Konsideroj se institucioni duhet të ketë parasysh çdo rrethanë të vështirë me të cilën ballafaqohemi jo vetëm unë për shkak të largësisë, por edhe për rrethana të tjera që stafi mund të ketë”, vazhdon tutje ky e-mail.

Punëtori në fjalë ka treguar se nuk e shfrytëzon kohën e pauzës, duke u arsyetuar se nuk i lë punët pas dore.

“Për informatën tuaj, unë pauzën me gjatësi prej 1 orë e shfrytëzoj në raste të rralla për të kompenzuar vonesat që nuk varet prej meje, por prej rrethanave jashtë kontrollit tim. Po ashtu, kurrë punën nuk e kam lënë pa përfunduar”, thuhet tutje.

Punëtori është munduar të arsyetojë vonesat, duke treguar edhe shkaqet.

“Në SIMBNJ e regjistrova 21 shkurtin 2021 si ditë pushimi për rast vdekje dhe atë javë çdo ditë kam udhëtu… prej punës dhe kam ardh në punë prej…. Për dy ditë tjera, unë kam qenë në punë siç ju shkrova më poshtë”, përfundon ky e-mail drejtuar drejtorit, përcjell Demokracia.com.

Në vijueshmërinë e punës, ky zyrtar pothuajse asnjë ditë nuk ka shkuar në punë me kohë e po ashtu nuk ka qëndruar deri në fund të orarit të punës.

Ligji e parasheh që vijueshmëria në punë është arsyeja pse duhet të paguhet një shërbyes publik.

Por, punëtori në fjalë, orarin e punës e ka sipas dëshirës, të paktën në listën e siguruar nga Demokracia.com për vijueshmërinë e muajit shkurt.

Punëtori në fjalë shihet se më datën 04.02.2022 është regjistruar në punë në ora 08:17 minuta, ndërsa kishte dalë nga puna ende pa u bërë ora 16:00, saktësisht në orën 15:52 minuta.

Më 07.02.2022, punëtori kishte arritur në punë në orën 08:31, kurse orarin e kishte përfunduar në orën 15:40 minuta.

Njëjtë kishte vepruar edhe më datën 16.02.2022, ku në punë ishte regjistruar në orën 08:31 dhe orari për të kishte përfunduar në orën 15:45 minuta.

Të njëjtin ritëm e kishte edhe më datë 28.02.2022 kur punën e kishte filluar në orën 08:27 dhe e kishte mbaruar në ora 15:30 minuta.

Demokracia.com ka provuar të flas me sindikatën e punëtorëve, por nuk kanë pranuar të prononcohen.

Ndërsa, në faqen e kësaj sindikate në Facebook, të gjitha postimet ndërlidhen kryesisht me ankesa që këta punëtorë kanë për kushtet e punës.

Mirëpo, nga të gjithë shërbyesit civil të Kosovës, punëtorët e AAC-së janë nga më të paguarit. /Demokracia.com/

Të ngjashme