Lajme
Publikohen pamjet | Kryekrimineli i veriut, Milan Radojiçiq, ishte pjesë e grupit terrorist
Demokracia
12:47 | 26 Shtator 2023

Share:

Kryekrimineli i veriut, Milan Radojçiq, njeriu që është edhe në listën e zezë të SHBA-së, del të ketë qenë pjesë e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës të dielën. 

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje ku në mesin e kriminelëve shihet edhe Radojiçiq, shkruan Demokracia.com.

Sveçla thotë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Shpalljen e ditëve të zisë nga Serbia dhe Lista Serbe për sulmuesit serbë të vrarë nga aksioni i Policisë së Kosovës, Sveçla e ka cilësuar vulosje të autorësisë së organizimit.

Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.

Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan. Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, ka shkruar Sveçla.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë katër terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet e Kosovës.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake.

Në vendin ku do të bëhet çarmatimi, u pa një arsenal armësh të ndryshme, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Të ngjashme