Lajme
Publikohen pamje të rusit që po i organizon serbët të luftojnë në Ukrainë, kishte qenë në Mitrovicë
Demokracia
14:18 | 07 Mars 2023

Share:

Mediat ukrainase kanë publikuar identitetin e mercenarëve serbë që po luftojnë për Rusinë në Ukrainë. Njëri nga rusët që i organizon serbët nëpër kampet ruse kishte qenë në veri të Kosovës, siç dëshmon një fotografi e publikuar prej tij në rrjetin social Telegram.

Mercenarët serbë po luftojnë për njësinë ruse “Sudoplatov” dhe siç raporton mediumi boshnjak, Istraga, ata po kryejnë stërvitje nëpër kampet ruse.

“Ky është tashmë turni i dytë. Dyzet e dy luftëtarë tanë nga ish-Jugosllavia dhe Evropa. Kanë kaluar tre muaj që nuk janë këtu. Dokumentet i dorëzohen Vladimir Putinit për nënshkrim. Para kësaj, dokumentet kalojnë nëpër shërbimet e caktuara. Të gjithë të huajt që marrin pasaporta për pjesëmarrje në forcat e armatosura të Rusisë kalojnë përmes nesh. I mbledh të gjitha dokumentet, i çoj në shërbimin kompetent, ata i kontrollojnë dhe i dërgohen presidentit (Putin) për nënshkrim”, ka thënë Dejan Beriq në një video-mesazh të publikuar më 28 shkurt të këtij viti.

Beriq është një shtetas i Serbisë, i cili prej vitesh jeton në Rusi. Që nga viti 2014, ai ka luftuar në Ukrainë në anën e separatistëve rusë. Tani ai paraqitet si koordinator i vullnetarëve që vijnë nga Serbia. Në mes të dhjetorit, ai publikoi video të disa shtetasve serbë që po kryenin stërvitje ushtarake në kampet ruse.

“Koha e stërvitjes ka mbaruar. Ka ardhur koha, është koha për ta provuar veten në betejë. I urojmë gjueti të suksesshme”, ka njoftuar të dielën në mëngjes kanalii Telegram “Sudoplatov batalion”.

Postimet u shoqëruan me foto nga një automjet ushtarak ku shiheshin pesë persona. Së paku dy persona janë të nacionalitetit serb, ndërsa në komentet e fotografive të publikuara disa persona theksojnë se është i pranishëm edhe një maqedonas, përcjell Gazeta Express.

Pak më vonë është publikuar edhe një video ku shihen të njëjtët ushtarë në një automjet tjetër ushtarak. Në video flet Andrey Rodionov, një shtetas rus i njohur me pseudonimin “Viking”. Ai drejton një lëvizje të “bashkimit dhe ringjalljes ruso-sllave”, e cila, sipas faqes së saj të internetit, kundërshton “globalizmin perëndimor, materializmin dhe multikulturalizmin”.

Një nga fotot e profilit të kanalit privat në Telegram është edhe ajo e realizuar në Kosovë. Radionov, dukshëm më i ri në krahasim me fotot aktuale, pozon para një pankarte që tregon për hyrjen në Mitrovicën e Veriut.

Andrey Rodionov në Kosovë

“Janë vëllezërit tanë serbë”, thotë Radionov në videon e publikuar të dielën në mëngjes.

Radionov në përshkrimin e videos thotë se incizimi është bërë më 1 mars dhe se në video janë “Sava” dhe “Danubi”. Bëhet fjalë për dy persona të cilët që nga dhjetori i vitit të kaluar janë paraqitur nga televizionet dhe mediat ruse si vullnetarë nga Serbia.

Dy serbët dhe “shefi” i tyre rus

Të ngjashme