Lajme
Psikologu dhe sociologia flasin për vrasjen e grave në Kosovë: Institucionet, fajtorët kryesorë
Demokracia
15:52 | 01 Dhjetor 2022

Share:

Dy vrasje të grave brenda një jave ndodhën në Kosovë.

Të dyja u konsideruan bizare. Më 26 nëntor të këtij viti mësuesja S.G u vra nga burri i saj me sopat, ndërsa pesë ditë më vonë në oborrin e QKUK burri vrau me armë H.M që ishte në muajin e fundit të shtatzënisë.

Psikologu, Imri Zabeli, shpjegon arsyen e vrasjes së grave në mjediset publike. Ai thotë se kryerësit e veprave nuk brengosen për pasojat. “Patjetër, që është shqetësuese, përsëritja e këtyre veprimeve në format më makabre, në mjediset publike është edhe një sinjal që kryesit e veprave nuk brengosen për pasojat ligjore që mund t’i kenë”, ka thënë Zabeli për Demokracia.com.

Ai ka treguar se ushtrimi i dhunës është një proces i mësuar, dhe është i vërejtshim në shoqërinë tonë.

“Perceptimi i dhunës dhe praktikimi i saj si mënyrë e ndërveprimit në jetën e përditshme është proces i mësuar. Ndërsa, çrregullimet psikologjike që mund të shtyjnë njeriun drejt veprimeve të dhunshme deri te vrasjet janë të vërejtshme. Në mjedisin tonë shoqërorë shpesh nuk arrijnë ta dallojnë sjelljen e zakonshme me çrregullimin psikologjikë”, thotë Zabeli.

Zabeli ka shpjeguar edhe faktorët që çojnë një person deri te kryerja e vrasjes.

“Mos ndëshkueshmëria është një nga faktorët që ka ndikim në këto sjellje, por përveç kësaj është edhe një zinxhir i faktorëve që lejojnë formësimin e sjelljeve të tilla. Mos reagimi i hershem parandalues është faktor kyç si familja, shkolla, institucionet e punës, mungesa e sistemit të integruar shëndetësor dhe ligjor. Mos ndëshkueshmëria e përgjegjësve që e kanë detyrë pune parandalimin e sjelljeve të tilla është një nga problemet me akute në sistemin e parandalimit”, thotë Zabeli.

Në anën tjetër për sociologen Makfire Ademi është alarm për shoqërinë vrasja e grave, duke kritikuar edhe institucionet që nuk po iu dalin në ndihmë.

“Dy vrasje makabre me bazë gjinore është alarm për shoqërinë dhe gjithë institucionet përfshirë shtetin, ku njëra nga viktimat e përmendura më lart kishte raportuar policinë për dhunën dhe kanosjen nga bashkëshorti, dhe kishe urdhër mbrojtje nga institucionet relevante. Mbrojta nga ana institucionale e viktimave të dhunës apo kanosjes në familje nuk ndodhi, ngase femicidi apo manifestimi me ekstrem i dhunës ndaj grave sikur nuk le përshtypje madje ne shume raste tjera të ngjashme sikur është relativizuar”, tha ajo për Demokracia.com.

Vrasja e shtatzënës H.M ka shkaktuar reagime të mëdha edhe të drejtuesve të institucioneve, por edhe të spektrit politik.

Nga kryeministri, që kishte një reagim të çuditshëm, e deri tek drejtuesit e opozitës, vrasjen e konsideruan bizare dhe kërkuan marrjen e masave.

Që nga viti 2011 deri në muajin nëntor të vitit 2022, në Kosovë janë vrarë 12 gra nga bashkëshortët e tyre.

Në muajin maj të vitit 2011 është vrarë, Diana Kastrati, po në të njëjtin vitit ne muajin korrik është vrarë edhe Antigona Morina.

Në muajin tetor  të vitit 2015 është vrarë Zejnepe Berisha, një muaj me vonë gjegjësisht në nëntor  është vrarë Donjeta Pajaziti.

Dy vite më vonë në nëntor të vitit 2017 është vrarë Sevdije Berisha.

Kurse, në muajin gusht të vitit 2018 është privuar nga jeta Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj.

Dy vite më vonë, në muajin korrik, është privuar nga jeta Sabile Mavrovqani.

Në muajin mars të vitit 2021 është vrarë edhe Sebahate Morina-Sopi, pesë muaj më vonë në muajin gusht është vrarë edhe Marigona Osmani.

Lirie Qerimaj në muajin janar të vitit 2022 ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

Në vitin 2022 në muajin nëntor është vrarë Sanije Godeni, ndërsa 5 ditë më vonë u vra shtatzëna Hamide Magashi nga bashkëshorti i saj. /Demokracia.com/

Të ngjashme