Lajme
Pseudorugovistja Vjosa Osmani asnjë fjalë për ministren Haxhiu, që i dha pozitë njeriut që torturoi bashkëpunëtorin e Rugovës
Demokracia
21:46 | 13 Maj 2023

Share:

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje sa ishin në opozitë ishin fort kritik ndaj eksponentëve të ish UDB-së. Madje, ata edhe i akuzonin qeveritë e kaluar se po i akomodonin të tillët në sistem. Por, krejt ndryshe po vepron kjo parti pas ardhjes në pushtet.

Caktimi i Enver Krasniqit si ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Sekuestrim dhe Konfiskim të Pasurisë, Enver Krasniqi, ka nxitur reagime të shumta.

Për këtë emërim po kritikohet edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndonëse ai i ka mohuar këto pretendime, Krasniqi po konsiderohet eksponent i UDB-së, i cili ka marrë pjesë në burgosjen e patriotëve shqiptarë duke përfshirë edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. I pari që ka reaguar për këtë rast ka qenë gazetari Vehbi Kajtazi.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kajtazi ka shkruar se Krasniqi ka qenë shef i UDB-së në Klinë.

“Enver Krasniqi, i perzgjedhuri i Albulena Haxhiut per ud drejtor te Agjencise per Sekuestrim dhe Konfiskim te Pasurise se paligjshme, i cili ka qene shef i UDB-se ne Kline, ka burgosur dhe torturuar patriotin Kole Berisha. Berisha, ka qene zevendes i Ibrahim Rugoves, ne emrin e te cilit thirret presidentja Vjosa Osmani, e cila kryen sherbime politike per Albin Kurtin”, ka shkruar Kajtazi.

Reagim të ashpër ka bërë edhe Visar Berisha, djali i Kolë Berishës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar në detaje se si Krasniqi e kishte torturuar babanë e tij në vitin 1989.

“Ka qenë mëngjesi i 28 marsit 1989, e Martja e Pashkeve. Kati i IV, dera 7. Njana prej ditëve ma të ankthshme për mue. Baba u que shpejt dhe e hapi derën. Dy punëtore të sigurimit të shtetit dhe pas tyne dy policë e kishin nxanë derën. Baba u vesh, e lidhen. Prej ballkonit e pashë që e futen rrmysht në Zastave. Në dhomën e Stacionit policor, sigurmici shiptar, Enveri, që e kishte burgosë, e kishte lidhur me “lisica” për shtylle. Pastaj Peja, Leskovci, Beogradi e prapë Peja. Teshat që vini te ndryshkuna prej gjakut. Shumë prej tyne i kishin pranu ndryshimet kushtetuese dhe po i zbatonin ato me forcë. Shiptarë. Asi që besonin se Serbia ishte shteti i tyne”, ka shkruar ai.

Më tej, ai ka treguar se Krasniqi ishte favorizuar më herët edhe nga disa ministra të LDK-së.

“Me thanë se ky sigurimci i djeshem qenka favorizue nga se paku dy ish-ministra te LDK-së gjatë ketyne viteve. Qe kjo qe ka ba znj. Haxhiu asht vec pasoje… Dorën në zemër, krejt kjo maskaradë e turpnon shtetin e Kosovës, Kosovën, nuk me ligë mue e aq më pak babën Kolë. Baba, sa ka qenë gjallë këtë sigurimcin e ka falë, shpirtnish, si njeri. Ka qenë në paqe me veten. Por baba, e le ma unë, suj e mbrojmë ma vendin prej të vetëve që e mohojnë çdo ditë”, ka shkruar Berisha.

I ndjeri Kolë Berisha ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish presidentit, Ibrahim Rugova. Ata të dy kanë rrugëtuar gjatë në okupim, pastaj edhe në institucionet e Kosovës së lirë.

E dikush që është thirrur dhe ende thirret në Rugovën dhe “rugovizëm” është Vjosa Osmani. Osmani, që u ndihmua edhe nga thirrja në “rugovizëm” për t’u ulur në karrigen e të parës së shtetit, ende nuk ka reaguar dhe nuk e ka thënë as edhe një fjalë për njeriun që Haxhiu e emëroi drejtor të Agjencisë për Sekuestrim dhe Konfiskim të Pasurisë.

Të gjitha këto fakte publike, do të duhej të cytnin Osmanin që ta mbronte njeriun që Ibrahim Rugova i besonte aq shumë. Presidentja me këtë mos reagim ndaj ministres Haxhiu që i dha pozitë kaq të rëndësishme njeriut që e torturoi Kolë Berishë, mund të quhet pseudorugoviste. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 04 Korrik 2024