Lajme
‘Pseudo-skandali’: Çka po thotë në këto 4 fjali Donika Gërvalla?
Demokracia
14:01 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, nuk është kujtuar për ‘etikën profesionale’ në kuadër të punës që bën, kur Ministria e saj ka urdhëruar ambasadorin e Kosovës në Bruksel që të bëj kontratë me Gani Jakupin, në një projekt për 7500 euro pagë më muaj, por ajo kujtohet për ‘etikën profesionale’ të mediave…

Në fund të nëntorit, Periskopi ka publikuar një nga storiet e vitit 2023 në Kosovë: kontratën e një konsulenti që quhet Gani Jakupi dhe që paguhet hiç më pak se 7500 euro në muaj, 90.000 euro në vit.

Kur Periskopi ka siguruar këtë kontratë, përmes burimeve, fillimisht, ka qenë shuma e lartë e pagës mujore që merr z.Jakupi – një person tërësisht i panjohur në diplomaci, për të qenë më i paguar shumë më shumë se sa vetë posti i ambasadorit kosovar.

Krekosja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, përkatësisht ministres, për t’u arsyetuar për këtë kontratë skandaloze, qoftë në procedurat e saj, përmbajtjen dhe në fund, pse jo edhe shumën e parave për një projekt të tillë, është jashtëzakonisht interesante.

Në një intervistë të fundit që kjo ministre jep për mediumin Kallxo, shpreh mendimin e saj që ‘qëllimi i publikimit të artikullit, ka qenë për ta dëmtuar procesin’.

Nga kontrata që kemi lexuar dhe publikuar, procesi i kontratës, i përmbledhur në pak fjalë, nënkupton: takimet e z.Gani Jakupi me artistë të ndryshëm në shtetet e Beneluksit, në Paris, Bruksel dhe dikur, në krejt Francën.

Në asnjë rresht të kontratës që kemi lexuar dhe publikuar, nuk kemi parë që z.Jakupi të jetë i angazhuar në ndonjë projekt të ndjeshëm për shtetin e Republikës së Kosovës, siç do të mund të ishte: blerja e armëve për FSK-në, diskutimi i programit bërthamor për të ardhmen, etj.

Pra, çfarë procesi paskemi dëmtuar, kështu?

Luteni të përmbaheni nga të qeshurat, nga fjalia më poshtë:

“Ai që e ka nxjerr, duke shkelë etikën e tij profesionale, e ka nxjerr për ta dëmtuar procesin”, thotë Gërvalla për Kallxo dhe vazhdon të shpik fjalë të reja por të pakuptimta si për shembull fjala: ‘pseudo-skandal’.

“Çështja është këtu, nuk mund të lahen me pseudo-skandale”, thotë Gërvalla aty.

Nuk ekzistojnë ‘pseudo-skandalet’. Ka vetëm skandale dhe njëri prej tyre, është ky: të paguash një konsulent 7500 euro në muaj. Por derisa nuk ekzistojnë ‘pseudo-skandalet’ si proces, ekziston ‘pseudo-diplomacia’, që aktualisht udhëhiqet nga znj.Gërvalla.

Duke qenë që nuk ia vlen një elaborim që na merr shumë kohë, meqë jemi në fund të vitit dhe kemi shumë punë këtu në Redaksi, ja disa nga fjalitë qesharake të Gërvallës në intervistën e saj për Kallxo.

1.Gërvalla: Gani Jakupi është angazhuar në kuadër të një projekti me specifika të veçanta.

-E vërtetë! Janë parë ‘speficikat e veçanta’ në kontratën që kemi publikuar.

2.Gërvalla:  Ai nuk merr rrogë. Gani Jakupi është paraqitur në publik si këshilltar i Gërvallës që merr pagë 7500 euro. As nuk merr pagë, as nuk është këshilltar i Gërvallës.

E pavërtetë. Referojuni kontratës dhe ‘kësti’ – kjo fjalë burokratike e përshkruar në kontratë, është mujor. Që nënkupton për secilin prej nesh që marrim ‘këste’ mujore nga puna që bëjmë: rrogë/pagë. Gani Jakupi është këshilltar i angazhuar nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, e cila sipas hierarkisë i përgjigjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ministres Donika Gërvalla dhe rrjedhimisht, në bazë të kësaj kontrate, është një këshilltar i kësaj Ministrie.

3.Gërvalla: Gani Jakupi si një pjesë e madhe e njerëzve qe jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë qasje në qarqe të caktuara, ka marrë përsipër disa detyra shumë të vështira.

-Ok.

4.Gërvalla: E dini cka ka ndodhë kur plasi pseudo-skandali, u përdor personaliteti që ka dhe projekti për ta shkatërruar projektin.

E pavërtetë. Projekti është duke vazhduar. Mediat kanë publikuar pjesë të aktiviteteve të z.Jakupi nga angazhimet e tij në kuadër të projektit: takimet nëpër kafene evropiane me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Dhe fjalia e fundit. Kur znj.Gërvalla pyetet nga gazetarja që e interviston atë, lidhur me atë se pse nuk mund t’i numërojë detyrat që ka kryer këshilltari Jakupi deri tani, për pagën 7500 euro në muaj, znj.Gërvalla thotë kështu:

“Ndoshta edhe është (sekret detyra).”

Në rast se këshilltari për të cilin është publikuar artikulli i Periskopit, është i angazhuar në ndonjë detyrë sekrete, Ne as nuk e kemi përmendur këtë, as nuk kemi informacione të tilla e referuar kontratës, as nuk bëhej fjalë për këtë. Përvec nëse është ndonjë ‘pseudo-kontratë’ për ‘detyra sekrete’.

Mushkolaj: Publikimi i kontratës nga Periskopi, nuk përbën kurrfarë shkelje

Analisti Imer Mushkolaj, njëherit kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, në emisionin Debat Plus tha mbrëmë kështu:

“Shumë irrituese, shumë arrogante dhe e papërgjegjshme për një cështje që po provon me na shitë jashtëzakonisht sekrete. Kontrata që është publiku kallëxon saktë çka ka me bë ai njeri.

Media që e ka publiku, në këtë rast Periskopi, nuk ka bë kurrfarë shkelje.

Zotnisë ia kanë nxe xhepin me 90 mijë euro, për me e kry njëfarë lobimi me njerëz të kulturës, galerive, gazetarë etj, jo naj projekt për naj lobim për me sjell ndonjë njohje. Ka të bëj për me kriju linja të bashkëpunimit kulturor, nuk po them që është keq sepse diplomacia kulturore ekziston në krejt botën.

Për mu është problem që zonja ministre, përpiqet me e qitë në tjetër rrafsh, një kontratë totalisht jotransparente. Zonja ministre dhe ministria e saj, njihen për jotransparencë, këta janë dënu që nuk iu ofrojnë qasje mediave, sipas ligjit në fjalë.

Kontrata është publiku dhe shumë mirë që është publiku kontrata.

Nuk ka konfuzitet: 90 mijë euro në vit, i bjen 7500 euro në muaj.

E dyta, çfarë projekti është ky, qysh e bën një person një projekt, këtë nuk e kuptoj. Ne e dimë cka janë projektet. Qysh bën projekt Gani Jakupi? Ky është projekti.

Për me sqaru, nuk është problemi te emri Gani Jakupi, ai mundet me qenë i mirë në fushën e vetë, problemi është Ministria e cila në mënyrë plotësisht transparente, na e paska bë një kontratë, që mos me e pas publiku na kurrë s’e kishim marrë vesh”.

Të ngjashme